Pesë skiatorë gjenden të pajetë në alpet Zvicerane, një ende i zhdukur

Pesë skiatorë gjenden të pajetë në alpet…

Trupat e pajetë të 5 skiatorëve janë gjetur mbrëmjen e së dielës (10 mars 2024) në alpet e Zvicrës, nga forcat e kërkim-shpëtimit.

Sipas mediave të huaja, grupi i skiatorëve ishin anëtarë të së njëjtës familje dhe ishin nisur nga Zermatt të shtunën në mëngjes, për të shkuar në një zonë të famshme për sportin e skive në rajonin Tête Blanche. Sipas deklaratave të Policisë, pjesëtarët e ekipit ishin mes moshave 21 dhe 58-vjeç.

Autoritetet janë duke vijuar kërkimet për një person të 6, teksa deri më tani nuk kanë bërë publik identitetin e asnjërit prej të ndjerëve. Skiatorët kërkuan ndihmë nga forcat e kërkim shpëtimit kur ishin në lartësinë 3 706 metër mbi nivelin e detit në afërsi të fshatit Arolla ku kishin vendosur që të pushonin.

Kushtet e këqija të motit bënë që operacioni i kërkim-shpëtimit të ishte i vështirë. Stuhitë e vazhdueshme në alpet jugore dhe rreziku i ortekëve të dëborës bënë që helikopterët ta kishin të pamundur të afroheshin në zonë.

Gjetur në këto kushte një grup prej 5 shpëtimtarësh me përvojë tentuan të ngjisin alpet në këmbë, por dhe atyre u desh të tërhiqeshin në lartësinë 3 000 metër për shkak të rreziqeve që u kanoseshin. Në operacion u përfshinë forcat ajrore zvicerane, Organizata e Shpëtimit për Kantonin e Valais, por rezultatet fatkeqësisht nuk ishin pozitive!

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit