Pezullohet efektivi i Policisë në Fier, krijoi marrëdhënie të papërshtatshme me vajzat e përfshira në dhunën ndaj 17-vjeçares

Pezullohet efektivi i Policisë në Fier, krijoi…

Një efektiv i Policisë së Shtetit është pezulluar nga detyra në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Fier, ku një 17-vjeçare u dhunua nga bashkëmoshataret e saj dhe pamjet e incidentit u shpërndanë në rrjetet sociale.

Lajmi u konfirmua nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili bëri të ditur se pezullimi është marrë për shkelje të standardeve profesionale dhe cenim të figurës së punonjësit të policisë.

Sipas Hitës, efektivi nuk dyshohet se ka publikuar apo shpërndarë videon e dhunës, por është konstatuar se ka krijuar një marrëdhënie të papërshtatshme me vajzat e përfshira në ngjarje.

“Oficeri i policisë që është i përfshirë në ngjarjen e Fierit nuk është evidentuar se ka nxjerrë videon ose e ka bërë publike për mediat, por pezullimi i tij është urdhëruar për shkeljen e standardeve dhe cenimin e rëndë të figurës së punonjësit të policisë në krye të detyrës, pasi ka hyrë në një marrëdhënie të panevojshme me vajzat që kanë kryer këtë veprim të kundërligjshëm,” u shpreh Hita.

Ngjarja e dhunës ndaj 17-vjeçares ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa autoritetet kanë nisur hetime si për autorët e dhunës, ashtu edhe për mënyrën se si u menaxhua rasti nga strukturat policore.

Pezullimi i efektivit vjen në kuadër të verifikimeve të brendshme të Policisë së Shtetit, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e ngjarjes.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit