Një raport i bujshëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka zbërthyer atë që konsiderohet si një nga menaxhimet më skandaloze të një institucioni publik gjatë viteve të fundit, duke vënë në shënjestër ish-Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu, aktualisht deputet i PS.
8 MILIONË € janë të ardhura të munguara, dëmi ekonomik kalon shifrën e 200 MIJË € e shkeljet financiare arrijnë në disa milionë.
Ndonëse rekomandimi për “shkarkim nga detyra” vjen pasi Vengu është larguar nga institucioni, dëmi financiar dhe shkeljet e konstatuara në auditim ekspozojnë një skemë flagrante të favorizimit të privatit në dëm të arkës së shtetit.
Vetëm nga dhënia e Terminalit të Kontejnerëve për kompaninë “Mariner Adriatik” pa kritere dhe duke i blerë shteti vinçat me para publike për t’ia dhënë falas privatit, shteti u zhvat me 6.8 MILIONË €.
Tenderat e vinçave të fituar nga kompania “Hydropower” u shoqëruan me 18 pagesa ilicite pa faturë tatimore, duke lënë pa deklaruar në kohë 2.3 MILIARDË Lekë TVSH.
Kompanitë ofruan dhe fituan në lekë, por u paguan në euro duke manipuluar kursin e këmbimit, një manovër që i kushtoi shtetit një dëm të drejtpërdrejtë ekonomik prej 205 MIJË €.
Përsa i përket skandalit të Porto Romanos, u derdhën 1.85 MILIONË € paradhënie në shkelje të rregullave dhe nuk u aplikua asnjë penalitet për vonesat e kontraktori, duke shkaktuar një efekt negativ prej 549 MIJË €.
Përsa i përket hapësirës portuale falas… Kompania “REDI” ShPK shfrytëzoi 17,500 metra katrorë territor portual pa kontratë të rregullt, duke i shkaktuar portit 88.6 MILIONË Lekë të ardhura të munguara.
Kjo nuk është thjesht një listë shkeljesh administrative, por kronika e një vendimmarrjeje të sterilizuar nga transparenca, ku fondet e taksapaguesve shqiptarë u përdorën për të pasuruar kontraktorë privatë. Nga tenderët e paracaktuar te faturat e zhdukura dhe manipulimet e kurseve valutore, porti më i madh i vendit është trajtuar si pronë private, ndërsa faturën e këtij keqmenaxhimi kolosal e paguajnë sërish qytetarët.