50-vjeçari kuksian Ismail Zeneli u ekstradua nga Spanja drejt vendit tonë. Zeneli akuzohet SPAK për pjesëmarrje e tij në grupin e strukturuar kriminal të Erzen Breçanit dhe Ervin Matës. Përgjimet që disponon SPAK për vrasjen e dy vëllezërve Edmond dhe Albert Nela ‘fundosën’ planet e tij.
Arrestimi i tij u bë më 2 dhjetor 2023 nga autoritetet spanjolle.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Kush është Ismail Zeneli dhe e shkuara errët e tij
Ismail Zeneli, emër jo i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai për shkak të hasmërisë ka planifikuar eleminimin e dy vëllezërve Nela që ndodhen në Britaninë e Madhe, për të arritur këtë Zeneli ka kërkuar ndihmën e një punonjësi policie i cili gjurmonte familjarët duke u bërë kështu bashkautor në krim.
Gjithashtu ai akuzohet edhe për trafik droge. Sipas SPAK ai kishte rol kyç në trafikun e drogës ku autoritetet sekuestruan qindra kg kokainë në Holandë dhe dhjetëra të tjerë në Brazil.
Lëvizja e drogës bëhej nga Amerika e Jugut nëpërmjet kontejnerëve frigoriferikë të cilët transportonin mish ose lëng limoni të koncentruar. Për shkak të eksperiencës që kishte në trafikun e drogës Ismail Zeneli merrte vendimet ndërsa Eralb Breçani dhe të tjerët e respektonin.