Plagosja e Ardian Çapjas, Prokuroria e Elbasanit merr në dorëzim dosjen

Plagosja e Ardian Çapjas, Prokuroria e Elbasanit…

Prokuroria e Elbasanit ka marrë në dorëzim nga policia dosjen penale në lidhje me plagosjen e biznesmenit Ardian Çapja tri ditë më parë. Mësohet se ka 55-vjeçari dalë nga situata e rrezikut dhe pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, i ka kërkuar spitalit të Traumës që ta lirojnë për tu kuruar privatisht për plagën që ka marrë në shpatull.

Nga ana tjetër prokurori që do të drejtojë hetimet është përcaktuar me anë të shortit ndërkohë që ka nisur shqyrtimi i materialeve dhe provave të mbledhura në vendin e ngjarjes. Nga verifikimi i pamjeve filmike të kamerave të sigurisë në zonë rezulton se autorët kanë qenë tejet të kujdesshëm për të mos u ekspozuar pasi filmimet kanë kapur vetëm momentet e fundit kur automjeti I përdorur në atentat, një volksvagen sharan, largohet nga vendi i ngjarjes.

Kjo makinë, sipas prokurorisë rezulton se nuk ka asnjë të dhënë në Shqipëri pasi nuk është zhdoganuar dhe regjistruar asnjë herë ndërkohë që targa që i ishte vendosur është vjedhur në Krujë. Po kështu versioni i pjesëmarrjes së tre personave në atentat është pohuar vetëm nga një dëshmitar por nuk mbështetet ende në prova të tjera. Edhe verifikimet për snajperin ushtarak kanë dështuar pasi numri I serisë së armës është fshirë nga djegia.

Një burim nga prokuroria tha se janë gjetur vetëm kodet e pjesëve të ndryshme të snajperit prodhim finlandez, por jo numri identifikues i armës. Nga ana tjetër biznesmeni Ardian Çapja është marrë në pyetje nga grupi i hetimit të policisë dhe prokurorisë, por burimet thanë se dëshmia e tij ka qenë rutinë dhe nuk ka ndihmuar në identifikimin e ndonjë piste apo autori të dyshuar për atentatin.

/Marrë nga Ora News/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit