Plagosja në Durrës, flet fqinja: Më kërkoi ndihmë, shkallët i zbriti vetë edhe pse ishte larë në gjak

Plagosja në Durrës, flet fqinja: Më kërkoi…

Dalin detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në orët e para të mëngjesit në Durrës, ku një grua 32-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, mbeti e plagosur rëndë me thikë.

Një fqinje e saj, e cila i dha ndihmën e parë, ka rrëfyer momentet dramatike që përjetoi. Sipas saj, rreth orës 03:00 të mëngjesit u zgjua nga britmat për ndihmë që vinin nga jashtë banesës.

“Dëgjova një zë që thërriste me dëshpërim: ‘Ndihmë, ndihmë!’. Kur dola te dera, ajo më tha: ‘Më ndihmo, më kanë goditur me thikë’. Në fillim nuk e njoha, sepse ishte e gjitha e mbuluar me gjak”, tregoi fqinja.

Sipas dëshmisë së saj, 32-vjeçarja kishte arritur të zbriste vetë shkallët nga apartamenti ku jetonte me qira, në katin e dytë të një godine trekatëshe në lagjen nr. 16 të Durrësit. E plagosura u rrëzua pranë hyrjes së katit të parë, ndërsa fqinjët njoftuan menjëherë ambulancën dhe policinë.

Fqinja tha se nuk kishte dijeni se kush mund të ishte autori i sulmit, por tregoi se gruaja ishte e divorcuar dhe se ish-bashkëshorti i saj jetonte në Elbasan. Ajo shtoi se 32-vjeçarja jetonte e vetme, ishte një person i qetë, shkonte çdo ditë në punë dhe nuk kishte parë asnjëherë persona të tjerë, apo ish-bashkëshortin, të hynin në banesën e saj. Dy fëmijët e gruas jetonin me të afërmit.

Ndërkohë, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ish-bashkëshortët kishin qenë të ndarë, por së fundmi po tentonin të rindërtonin marrëdhënien. Dyshohet se një konflikt i ndodhur gjatë natës ka degraduar në dhunë, duke përfunduar me plagosjen e rëndë të 32-vjeçares.

Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe nisi kontrollet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Si autor i dyshuar është shpallur në kërkim ish-bashkëshorti i saj, Xhoni Karaj, 40 vjeç, i cili dyshohet se u largua nga vendi i ngjarjes menjëherë pas sulmit.

E plagosura ndodhet në repartin e reanimacionit në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku po merr trajtim intensiv nën kujdesin e mjekëve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit