Plagosja në Sarandë, gjendet buzë detit motori i atentatorëve, janë larguar me skaf

Plagosja në Sarandë, gjendet buzë detit motori…

Dalin detaje të reja nga hetimet për atentatin ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati, i njohur edhe si Sandër Rubati, i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e së premtes pas një sulmi me armë zjarri në Sarandë.

Policia ka gjetur motorin që dyshohet se u përdor nga autorët e atentatit. Mjeti u zbulua i braktisur në lagjen “Baba Rexhepi”, pranë zonës së njohur si “Kasollja”, buzë detit. Sipas grupit hetimor, motori nuk është djegur apo dëmtuar, çka u jep mundësi ekspertëve kriminalistikë të kërkojnë gjurmë biologjike dhe materiale ADN-je që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.

Vendndodhja ku u gjet motori ka ngritur dyshime se atentatorët, pasi u larguan nga vendi i ngjarjes, mund të kenë vijuar arratisjen me një mjet lundrues ose të jenë fshehur në zonat përreth.

Sipas burimeve hetimore, sulmi dyshohet të ketë qenë i planifikuar me kujdes. Një nga pistat që po verifikohet lidhet me konfliktin e ndodhur një ditë më parë mes djalit të të plagosurit, Andrea Rubati, dhe efektivit të Policisë Mihal Velço. Hetuesit dyshojnë se kjo ngjarje mund të jetë shfrytëzuar nga autorët për të krijuar një pistë të rreme hetimi.

Po ashtu, dyshohet se atentatorët kanë qenë në dijeni se një natë më parë policia kishte sekuestruar DVR-të e kamerave të sigurisë në zonë, duke zgjedhur të godisnin pikërisht në një segment ku nuk kishte mbulim me kamera.

Për konfliktin me efektivin e policisë janë shpallur në kërkim Andrea Rubati, 27 vjeç, si edhe Antonio Lefteri dhe Engjëll Dalanaj, të tre me precedentë penalë.

Sipas hetimeve, autorët ishin të maskuar dhe mbanin skafandra për të fshehur identitetin. Ata iu afruan 50-vjeçarit me motor, qëlluan disa herë ndaj tij dhe u larguan me shpejtësi. Një tjetër pistë që po hetohet është se, pasi braktisën motorin në fund të rrugës “Mithat Hoxha”, ata mund të jenë larguar me skaf.

Kontrollet e policisë kanë vijuar gjatë gjithë natës dhe gjatë ditës së sotme, por deri tani nuk është bërë i mundur identifikimi apo arrestimi i autorëve.

Burime nga Spitali i Sarandës bëjnë me dije se Rubati është goditur me tre plumba, dy pranë mëlçisë dhe një në zonën e legenit. Fatmirësisht, sipas mjekëve, asnjë prej predhave nuk ka prekur organet jetësore.

Pasi mori ndihmën e parë në Spitalin e Sarandës, ku iu administruan dy njësi gjaku, ai u transportua drejt Spitalit të Janinës për trajtim të specializuar. Mjekët bëjnë me dije se gjendja e tij është stabilizuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve, 50-vjeçari ka deklaruar se nuk ka mundur të identifikojë autorët e sulmit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit