Protesta e studentëve dhe gjimnazistëve në Shkodër është tensionuar, duke kaluar në përplasje dhe akte dhune ndaj godinës së Bashkisë. Protestuesit kanë hedhur gurë dhe kapsolla në drejtim të institucionit, duke thyer disa xhama, ndërsa muret e godinës janë mbuluar me shkrime të bëra me bojë.
Gjatë incidenteve, raportohet se një vajzë ka mbetur e plagosur pasi është goditur nga gurët. Deri më tani nuk ka informacion të detajuar për gjendjen e saj shëndetësore apo rrethanat në të cilat është plagosur.
Ndërkohë, policia nuk ka ndërhyrë për shpërndarjen e protestuesve, por po ndjek situatën përmes dronëve, ndërsa incidentet kanë vijuar përpara godinës së Bashkisë.
Ngjarjet në Shkodër zhvillohen në ditën e tretë të protestave të të rinjve kundër qeverisë, të cilat janë shtrirë edhe në Tiranë, ku situata është shoqëruar me tensione dhe përplasje të forta.
Në kryeqytet, protestuesit janë përplasur me forcat e rendit përpara Ministrisë së Arsimit dhe Parlamentit, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.
Ndryshe nga Tirana, ku policia ka ndërhyrë disa herë gjatë paradites, në Shkodër, pavarësisht gurëve, kapsollave dhe dëmtimeve të shkaktuara në godinën e Bashkisë, uniformat blu kanë zgjedhur deri tani të monitorojnë situatën nga ajri.