Plumbi fatal në fyt i mori jetën 25-vjeçarit: Zbardhet vrasja e Kevin Muharremit në Itali

Plumbi fatal në fyt i mori jetën…

Mjekësia ligjore në Itali ka përfunduar raportin e autopsisë për vrasjen tragjike të Kevin Muharremit, 25-vjeçarit shqiptar me banim në Fucecchio, i cili u ekzekutua natën e Shën Valentinit në Montecalvoli.

Sipas dokumentit të dorëzuar nga mjeku ligjor Marco Di Paolo pranë zëvendësprokurorit të Pizës, Fabio Pelosi, shkaku i vdekjes ishte një plumb i vetëm që e goditi viktimën në anën e djathtë të fytit.

Ky plumb i shkaktoi lëndime të rënda në rruazat e qafës dhe ndërpreu rrugët nervore, duke sjellë paralizë të menjëhershme të frymëmarrjes dhe gjakderdhje të brendshme. Viktima u prek edhe nga një plumb i dytë në krah, por hetuesit konfirmuan se kjo plagë nuk ishte fatale.

Krimit i parapriu një seri përleshjesh mes dy grupeve të rinjsh shqiptarë, konflikt i cili kishte nisur orë më parë brenda një lokali në Capanne di Montopoli dhe kishte vijuar me rrahje në parkingun e tij.

Pas këtij debati, palët komunikuan me telefon dhe lanë një takim për t’u sqaruar në Viale della Repubblica. Rreth orës 5:25 të mëngjesit, ndaj automjetit tip Fiat Doblò ku po qëndronte Muharremi u shkrepën më shumë se gjashtë të shtëna me një armë gjysmëautomatike Beretta të kalibrit 6.75.

Pavarësisht thirrjeve të dëshpëruara për ndihmë nga miqtë e tij dhe përpjekjeve të mjekëve për ta ringjallur, 25-vjeçari ndërroi jetë në vendngjarje.

Për këtë ngjarje ndodhet në burg i dyshuari kryesor, 20-vjeçari shqiptar Renato Xyke, i cili u kap nga policia në Arezzo ndërsa po largohej me familjen e tij me mjetin Range Rover Evoque, nga i cili nuk ka mohuar të ketë qëlluar.

Në makinë me të ndodhej edhe një 18-vjeçar shqiptar, i cili aktualisht hetohet në gjendje të lirë pasi është paraqitur vullnetarisht në prokurori për të dhënë dëshminë e tij. Hetimet balistike po vijojnë për të qartësuar të gjithë dinamikën përpara se çështja të kalojë në seancë paraprake.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit