Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për 12 të pandehurit e dosjes së njohur si “Plumbi i Artë”, mes të cilëve disa emra të njohur të botës së krimit në Tiranë, Durrës, Shijak dhe Fushë-Krujë.
Emiljano Shullazi dhe Astrit Avdyli janë dënuar me nga 10 vite burg, ndërsa Gjergji Cukali, i njohur ndryshe si i “forti” i Myslym Shyrit, është dënuar me 8 vite. Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, është dënuar me 4 vite burg.
Një zhvillim tjetër i rëndësishëm është vendimi për Miri Brulin, i cili është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg, por GJKKO ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm, pasi koha që ka kaluar në paraburgim është më e gjatë se masa e dënimit.
Vendimi është shpallur më 27 nëntor 2026 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Të 12 të pandehurit, të marrë nën hetim nga SPAK, janë gjykuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Trupi gjykues përbëhej nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca.
Dënimet për 12 të pandehurit
Astrit Avdyli është dënuar me 10 vite burg për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, armëmbajtjen pa leje, ndihmën për kalim të paligjshëm të kufijve dhe vepra të tjera penale.
Emiljano Shullazi është dënuar gjithashtu me 10 vite burg. Ai është shpallur fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, pjesëmarrjen dhe organizimin e grupit të strukturuar kriminal, goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen detyrë shtetërore dhe futjen e sendeve të ndaluara në burg.
Gjergji Cukali është dënuar me 8 vite burg për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e dy vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Besian Xhixha dhe Enver Diva janë dënuar me nga 6 vite e 8 muaj burg për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasjeje dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Viktor Imeraj, alias Viktor Bajraktari, është dënuar me 6 vite e 8 muaj burg për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Blerim Abazi, alias Blerim Gashi, dhe Robert Laçi janë dënuar me nga 6 vite burg për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal. Me 6 vite burg është dënuar edhe Satilno Basho për të njëjtat vepra penale.
Naim Stafuka është dënuar me 5 vite burg për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Xhelal Rraja është dënuar me 4 vite burg për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasjeje dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Ndërsa Miri Bruli është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.
Pse u lirua Miri Bruli?
Pavarësisht dënimit me 3 vite e 4 muaj burg, GJKKO ka urdhëruar shuarjen e masës së sigurisë “Arrest në burg” për Miri Brulin. Sipas vendimit, koha e kaluar prej tij në paraburgim tejkalon masën e dënimit të caktuar nga gjykata.
Për këtë arsye, është urdhëruar lirimi i tij i menjëhershëm nga ambientet e paraburgimit, me kushtin që të mos mbahet i arrestuar, i ndaluar apo i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.
Burg i sigurisë së lartë dhe konfiskime
Në vendim, GJKKO ka përcaktuar që disa prej të dënuarve të vuajnë dënimin në burg të sigurisë së lartë. Për Astrit Avdylin dhe Emiljano Shullazin është caktuar gjithashtu një periudhë sigurie e barabartë me kohëzgjatjen e plotë të dënimit, gjatë së cilës nuk mund të përfitojnë nga lirimi me kusht.
E njëjta periudhë sigurie është caktuar edhe për Besian Xhixhën, Enver Divën, Gjergji Cukalin, Viktor Imerajn dhe Satilno Bashon.
Gjykata ka vendosur gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të një pistolete të markës Glock 17, 34 fishekëve dhe dy krehërve të sekuestruar gjatë kontrollit të banesës së Astrit Avdylit.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.