
Prej më shumë se dy javësh, lufta mes Izraelit dhe Hamasit i ka marrë jetën mijëra personave nga të dy krahët. Por ajo që ka tronditur opinionin publik është dy sulmet e ndodhura në spitalin dhe kampin e refugjatëve në gaza.
Në lidhje me këtë ka reaguar ashpër edhe aktorja e famshme amerikane Angelina Jolie, e cila më parë pasur rolin e ambasadores së vullnetit të mirë të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Përmes një foto në Instagram, aktorja shkruan se sulmi ishte i qëllimshëm.
“Ky është një sulm i qëllimshëm ndaj një komuniteti të robëruar që nuk ka ku të ikë”, shkroi Jolie.
Po ashtu ajo ka nënvizuar se rripi i Gazës ka qenë një burg i hapur në dy dekadat e fundut dhe se tani me shpejtësi po kthehet në një varr masiv.
“Përderisa bota bën sehir dhe me mbështetjen aktive të shumë shteteve, miliona civilë palestinezë po ndëshkohen dhe çnjerëzohen masivisht, ndërsa u mohohet ushqimi, ilaçet dhe ndihma humanitare në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, theksoi Jolie.
Gjithashtu nuk mund të mungonte as thirrja për armëpushim, ku nuk ka munguar as akuzat ndaj lidërve botëror të cilët i bën përgjegjës për sulmin në kampin e refugjatëve.
“Duke refuzuar kërkesat për një armëpushim humanitar dhe duke penguar Këshillin e Sigurimit të OKB-së që të vendosë një armëpushim midis të dyja palëve, liderët botërorë janë bashkëpunëtorë në këto krime”, shtoi aktorja.
Kujtojmë që nga fillimi i konfliktit, më shumë se 3500 fëmijë kanë humbur jetën nga konflikti i armatosur.