Po kalonte me semafor të gjelbër, makina përplasi vajzën, i theu këmbën dhe iku

Po kalonte me semafor të gjelbër, makina…

Një aksident rrugor është raportuar mëngjesin e 29 tetorit, rreth orës 08:30, në hyrje të Durrësit, pranë stacionit të trenit.

Sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë tonë, një automjet ka përplasur dy këmbësore, të cilat po kalonin në vijat e bardha me semafor të gjelbër për këmbësorët.

Njëra prej të dëmtuarave është një vajzë 23-vjeçare, e cila në ato momente ishte duke shkuar në punë. Pas përplasjes, ajo është transportuar me ambulancë dhe ka pësuar frakturë në këmbë, hematoma në kokë dhe dëmtime të konsiderueshme në gju.

Nëna e vajzës, e cila vetë po përballet me një sëmundje të rëndë dhe trajtohet në Onkologjik, shprehet e shqetësuar për gjendjen shëndetësore dhe shpenzimet e papritura që duhet të përballojë familja.

Ajo tregon se drejtuesi i automjetit është larguar pas aksidentit dhe kërkon që rasti të bëhet publik, të identifikohet personi përgjegjës dhe të merren masa.

“Vajza ime po kalonte me semafor të gjelbër dhe sot ndodhet në shtëpi me këmbën e thyer dhe dhimbje të shumta. Unë jam vetë e sëmurë dhe nuk di si do t’i përballojmë shpenzimet. Kush do të mbajë përgjegjësi për dëmet që ka pësuar vajza ime?”, shprehet nëna në denoncimin e saj.

Familja kërkon zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përgjegjësinë e personit që shkaktoi përplasjen.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit