Një aksident i rëndë rrugor i mori jetën 41-vjeçarit Vasil Hasani, baba i tre fëmijëve të mitur, në orët e para të mëngjesit të së premtes në aksin Shkozet–Shijak, në zonën e Rrashbullit.
Hasani po udhëtonte me biçikletë dhe po kthehej nga puna kur, rreth orës 02:00, u përplas nga një automjet. Pas përplasjes, drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke e lënë 41-vjeçarin të shtrirë në rrugë, pa i dhënë ndihmën e parë.
Trupi i tij u gjet rreth orës 06:00 nga një kalimtar, i cili njoftoi menjëherë autoritetet. Por për Hasanin ishte tepër vonë. Ai kishte humbur jetën pasi kishte qëndruar për më shumë se katër orë në rrugë.
Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit, i cili u largua pas aksidentit.
Familjarët e 41-vjeçarit kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë të personit që shkaktoi aksidentin pasi e konsiderojnë të pamundur që pas më shumë se 24 orëve policia s’ka arritur ta gjejë këtë person.