“Po mbronte një vajzë”/ Miqtë e portugezit tregojnë si nisi sherri që përfundoi me vrasjen e 20-vjeçarit

“Po mbronte një vajzë”/ Miqtë e portugezit…

Një konflikt që dyshohet se nisi pas ngacmimit të një gruaje në rrugët e Ksamilit përfundoi në mënyrë tragjike me vdekjen e 20-vjeçarit portugez Luís Miguel Varela Mendes.

Miqtë e të riut, të cilët kanë dëshmuar në policinë shqiptare, kanë rrëfyer se Mendes ndërhyri pasi pa një grua që po shqetësohej nga një grup personash.

Sipas dëshmive të tyre, 20-vjeçari ishte i pari që tentoi të qetësonte situatën dhe të ndalonte ngacmimin. Në grupin që dyshohet se po shqetësonte gruan ndodhej edhe Sokrat Vata, i arrestuar dhe i konsideruar nga autoritetet si i dyshuari kryesor për vrasjen.

Pas përplasjes fillestare, debati mes dy grupeve vijoi dhe situata u përshkallëzua. Konflikti u zhvendos drejt hyrjes së një resorti në Ksamil, ku, sipas dyshimeve të policisë, ndodhi edhe sulmi fatal.

Mendes u qëllua me thikë dhe pësoi plagë të rënda. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, 20-vjeçari ndërroi jetë.

Nga dëshmitë e miqve të tij rezulton se viktima nuk ishte pjesë e përplasjes në momentet e para, por u përfshi pasi vendosi të ndërhynte në mbrojtje të gruas.

Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet shqiptare po përpiqen të rindërtojnë hap pas hapi atë që ndodhi para dhe gjatë konfliktit.

Ndërkohë, trupi i Luís Miguel Varela Mendes ndodhet ende në Shqipëri, ku pritet të kryhet autopsia. Pas përfundimit të procedurave ligjore, trupi pritet të dërgohet në Portugali.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit