"Po na tremb fëmijët çdo ditë", banorët e Bulqizës denoncojnë 32-vjeçarin e arrestuar më parë për shantazh: Policia s'merr asnjë masë!

“Po na tremb fëmijët çdo ditë”, banorët…

Banorë të një lagjeje në Bulqizë i janë drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim, ku shprehin shqetësimin e tyre për sjelljen e një 32-vjeçari, për të cilin thonë se prej kohësh po krijon pasiguri në zonë.

Sipas qytetares që ka kontaktuar redaksinë, bëhet fjalë për Indrit Sallakun (i njohur edhe si Indrit Vucaj), i cili, sipas saj, lëviz shpesh i maskuar në lagje dhe mban në duar sende që banorët i perceptojnë si të rrezikshme. Ajo pretendon se situata ka krijuar frikë, veçanërisht te familjet me fëmijë dhe vajza.

Denoncuesja thotë se banorët kanë njoftuar disa herë Policinë e Shtetit, por sipas saj deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete. Ajo pretendon gjithashtu se në disa raste telefonatat e tyre nuk kanë marrë përgjigje dhe se edhe pas një ankese të dërguar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë nuk ka pasur reagim.

“Ju lutem ta publikoni këtë rast, me shpresën që institucionet përgjegjëse të reagojnë sa më shpejt. Nuk kërkojmë dënimin e askujt, por një zgjidhje që të garantojë sigurinë e banorëve dhe që ky person të marrë trajtimin dhe kujdesin e nevojshëm”, shkruan qytetarja në mesazhin e dërguar në redaksinë tonë.

Ky emër nuk është i panjohur për autoritetet. Në vitin 2024, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e tij në kuadër të operacionit “Phone Fiend”, pasi akuzohej se kishte përndjekur një 33-vjeçare dhe familjarët e saj, duke i shantazhuar për t’i marrë 5 mijë euro në këmbim të mospublikimit të fotove dhe videove personale. Sipas njoftimit zyrtar të asaj kohe, ai akuzohej për veprat penale “Përndjekja” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, ndërsa policia bënte me dije se kishte edhe precedentë të tjerë penalë.

JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të verifikojnë me urgjencë pretendimet e banorëve dhe të marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë publike, si dhe për të sqaruar situatën e ngritur në këtë denoncim. Nëse pretendimet rezultojnë të bazuara, qytetarët presin një reagim të shpejtë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit