Ngjitja me litar kthehet në tragjedi, eksploruesi 33-vjeçar mbytet në lumin Mat

Ngjitja me litar kthehet në tragjedi, eksploruesi…

Një 33-vjeçar është mbytur në afërsi të urës së Vashës në Klos, pas një aksidenti të rëndë të ndodhur gjatë ditës së djeshme. Sipas dyshimeve paraprake, i riu, i identifikuar si Erkin Lika, ishte duke bërë ngjitje me litar kur është rrëzuar dhe ka përfunduar në lumin Mat.

Dyshohet se 33-vjeçari ka rënë në një gropë thithëse, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen dhe kërkimet në zonë. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta kërkimi, përfshirë edhe palombarët e repartit RENEA.

Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të emergjencës, deri tani nuk është bërë e mundur nxjerrja nga uji e trupit të pajetë të 33-vjeçarit. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon në zonën ku ndodhi aksidenti.

Erkin Lika ishte specialist i rrjeteve të fibrave optike, banues në Tiranë, i apasionuar pas natyrës, fotografisë dhe eksplorimit të shpellave. Përveç profesionit në fushën e teknologjisë, ai ishte një speleolog i certifikuar me trajnime nga Club Alpino Italiano dhe Società Speleologica Italiana, si dhe një nga themeluesit e Shoqatës Speleologjike Shqiptare. Erkin Lika ishte pjesë e komunitetit të kërkim-shpëtimit malor në Shqipëri, ku kontribuonte me aftësitë e tij në organizim, bashkëpunim dhe eksplorime në terren. Ai njihej për pasionin ndaj natyrës, përkushtimin profesional dhe dëshirën për të dokumentuar bukuritë e saj përmes fotografisë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit