Një punonjës i Policisë së Shtetit nga Qarku i Korçës ka bërë një denoncim lidhur me pagën e këtij muaji.
Ai thotë se nga paga e shpërndarë i janë mbajtur 100 mijë lekë të vjetra, me pretendimin se këto para iu janë dhënë për pjesëmarrjen në zgjedhje.
Sipas tij, në sistemin e E-Albania, paga e deklaruar është 654 mijë lekë të vjetra. Megjithatë, për muajin gusht në bankë janë depozituar vetëm 554 mijë lekë të vjetra, pra 100 mijë lekë më pak se shuma që duhej të merrnin.
Ai thotë se kjo diferencë korrespondon me shumën e honorarit që punonjësit e policisë kanë marrë dy ditë para zgjedhjeve, pra më 9 maj dhe tani kjo shumë është zbritur nga paga e muajit.
Sipas denoncuesit, të gjithë policët e Qarkut të Korçës kanë marrë këtë muaj një pagë më të ulët se ajo që kanë të deklaruar dhe kjo sipas tyre është e padrejtë dhe abuzive pasi në këtë periudhë ata kanë nevojë më shumë se çdo herë tjetër për rrogën e plotë.
Denoncimi i policit:
“Pershendetje. Dje na hodhen leket e rroges por na kane mbajtur 100mije lek te vjetra me pretendimin se na i kane dhene per zgjedhjet. Policia e shtetit. Leket qe na dhane per zgjedhjet na i kane marre tani per fat te keq. Tek e Albania tek hapsira vertetim page paga eshte 654 mije lek te vjetra. Ndersa ne banke eshte 554mije te vjetra. Kemi marre 100 mije lek honorar qe do te thote ore shtese dhe i kemi mare dy dite para zgjedhjeve ne 9 maj. Se di per te tjeret po te gjithe policet e qarkut Korce jane me minus 100 kete muaj”

