Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka mbrojtur veprimet e Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit, duke i cilësuar efektivët si profesionistë në menaxhimin e situatës. Sipas tij, ndërhyrja e policisë ishte e domosdoshme për të neutralizuar personat që ushtruan dhunë ndaj punonjësve të policisë, gazetarëve dhe deputetëve, duke theksuar se ata nuk mund të konsiderohen protestues paqësorë.
Lamallari deklaroi se personat që morën pjesë në aktet e dhunës janë “vandalë”, disa prej të cilëve, sipas tij, kanë precedentë kriminalë. Ai theksoi se policia ka detyrimin të garantojë jo vetëm rendin dhe sigurinë publike, por edhe jetën dhe shëndetin e efektivëve dhe gazetarëve, duke shtuar se gjatë protestës pati raste kur përfaqësuesit e medias u penguan në ushtrimin e detyrës së tyre.
Ministri shtoi se një pjesë e personave të përfshirë në protesta janë evidentuar më herët nga strukturat ligjzbatuese dhe pretendoi se mes tyre ka edhe individë që, sipas informacioneve të autoriteteve, përdoren nga “agjentura të huaja” për organizimin e protestave në Shqipëri. “Policia disponon informacione të tilla. Ka shoqëruar persona me rrezikshmëri, kjo është detyra jonë të garantojmë ligjin, rendin, por edhe mbarëvajtjen e protestës”, u shpreh Lamallari.