Polici denoncon standardet e dyfishta: Pse neve na ndalohet mjekra, ndërsa shefat e mbajnë?!

Polici denoncon standardet e dyfishta: Pse neve…

Një punonjës i Policisë së Shtetit i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim, ku kërkon rishikimin e rregullores që, sipas tij, nuk lejon mbajtjen e mjekrës nga efektivët e policisë, ndërsa pretendon se i njëjti standard nuk zbatohet për drejtuesit dhe zyrtarët e niveleve të larta.

Sipas efektivit, në shumë vende të botës policët lejohen të mbajnë mjekër të rregullt dhe profesionale, pa cenuar disiplinën apo imazhin e institucionit. Ai thotë se problemi më i madh nuk është vetë rregulli, por zbatimi i pabarabartë i tij.

Në rregulloren e Policisë së Shtetit përcaktohen standardet e paraqitjes dhe të uniformës së punonjësve, ndërsa pamja e jashtme dhe elementët e uniformës rregullohen me akte të veçanta të institucionit.

Mesazhi i plotë i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania:

“Përshëndetje!

Kërkoj rishikimin e rregullores që ndalon mbajtjen e mjekrës nga punonjësit e policisë. Në shumë vende të botës, efektivët e policisë lejohen të mbajnë mjekër të rregullt dhe profesionale pa cenuar disiplinën apo imazhin e institucionit.

Gjithashtu, konstatohet se në disa raste në Republikën e Shqipërisë drejtues dhe zyrtarë të niveleve të larta mbajnë mjekër, ndërsa i njëjti standard nuk zbatohet për të gjithë punonjësit. Për këtë arsye, kërkoj që rregullat të jenë të barabarta për të gjithë dhe të lejohet mbajtja e mjekrës së sistemuar nga punonjësit e policisë.

Vetëm tek ju mund të ndahet ky muhabet përfundimisht sepse nuk është e drejtë disa të nënës e disa të babës.

Shefat tanë janë të gjithë me mjekër, mund t’i shikoni edhe te protestat.

Faleminderit. Shpresoj të merret për bazë ankesa ime!”

Punonjësi nuk kërkon heqjen e standardeve të paraqitjes, por një rishikim të tyre dhe, mbi të gjitha, zbatim të barabartë për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, pavarësisht gradës apo pozicionit që mbajnë.

Ai shpreson që shqetësimi i tij të merret në konsideratë nga drejtuesit e institucionit, duke argumentuar se rregullat duhet të jenë të njëjta për të gjithë dhe të mos krijojnë perceptimin e standardeve të dyfishta.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit