
Policia ka arrestuar vëllain e Hygerta Metës, 25-vjeçarin Hysen Meta i cili po ashtu është i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e babait të tyre Pëllumb Metës.
50-vjeçari u gjet i vrarë dhe i groposur në oborrin e banesës së tij në Durrës, kur kishte 10 ditë që ishte denoncuar si i zhdukur. Ishte pikërisht djali i të ndjerit Hyseni që bëri denoncimin në Polici për babain e tij në datën 13 shkurt, duke thënë se kishte tre ditë që kishte ndërprerë kontaktet me të.
Arrestimi i 25-vjeçarit u bë pas dëshmive kontradiktore të autores 19-vjeçare, e cila ka dhënë versione të ndryshme për ngjarjen. Hetuesit kanë dyshime për përfshirjen e vëllait të Hygertës në krim. Gjatë pasdites së kësaj të premteje (23/02/24), uniformat blu kanë gjetur dhe armën e zjarrit me të cilën u qëllua i ndjeri. Ai kishte marrë 4 plumba, ndërkohë që vajza e tij ka dhënë dëshmi të ndryshme për vendin ku e fshehu armën pas krimit duke pohuar fillimisht se e kishte hedhur në afërsi të një kanali dhe më pas në det.
E gjithë ngjarja ka ardhur pas konflikteve të vazhdueshme që i ndjeri krijonte në familje. Së fundmi ai kishte vendosur të fejonte Hygertën me një person që ajo nuk e donte, dhe për këtë kishin pasur dhe konflikte. Kjo dyshohet të jetë dhe arsyeja përse 19-vjeçarja ndërmori veprimin ekstrem.
Hetimet për ngjarjen janë duke vijuar!
Lexo më shumë lidhur me ngjarje:
Vrau babain, 19-vjeçarja: Jam e lumtur, ose do e vrisja, ose do arratisesha
Krushku i Pëllumb Metës: Vajza s’ishte në gjendje të vriste një pulë
Durrës/ I zhdukur prej 10 ditësh, vajza vret babain dhe e varros në oborrin e banesës