Për të disatën herë Policia e Shtetit ka dështuar në arrestimin e Suel Çelës, i njohur ndryshe si “i forti” i Elbasanit. Aksionet e punonjësve të policisë ose dekonspirohen ose janë një shfaqje për të treguar se po bëhen përpjekje për arrestimin e eksponentëve të krimit të organizuar. Cilado qoftë arsyeja, blutë kanë dalë me duar në xhepa edhe nga ky aksion në Elbasan.
Në mungesë të Suel Çelës, janë shoqëruar babai dhe vëllai i tij për t’u pyetur nëse kanë dijeni për vendodhjen e të shumë kërkuarit. Në këtë aksion policor janë përfshirë edhe disa hetues belgë, të cilët kanë dosje po ashtu të hapur ndaj Çelës për llogari të shtetit të tyre.
Suel Çela i njohur edhe si Marjus Lulaj, u shpall në kërkim në Maj të 2022 në kuadër të dosjen ‘Plumbi i Artë’. Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit ai është porositës i tre ngjarjeve, 2 të parealizuara dhe 1 e mbetur në tentativë. Ai i shpëtoi arrestimit edhe më 18 shtator të 2017-së, ku në tregun Agro-Ushqimor të Elbasanit përplasi makinën e policisë dhe u strehua brenda biznesit të të atit.
Policia e pati të pamundur të hyjë në këtë treg, pasi roja mbylli derën, për t’i dhënë kohë Suel Çelës të largohej , e t’i shpëtonte arrestimit. Gjatë gjithë kësaj kohe, Suel Çela i ka shpëtuar drejtësisë dhe arrestimi i tij është kthyer në një mit për Policinë e Shtetit.