Punoi vetëm 10 muaj, Gledis Nano fiton gjyqin: U shkarkua padrejtësisht

Punoi vetëm 10 muaj, Gledis Nano fiton…

Policia e Shtetit nga sot është me dy drejtorë në pagë, pasi Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar një padi të bërë nga Gledis Nano ish-drejtor i këtij institucioni!

Gledis Nano në padinë e tij ka kërkuar të gjitha pagesat bruto të punës së tij për 5 vite, njëjtë sikur të ketë mbyllur detyrën pa u shkarkuar! Bëhet fjalë për 60 muaj pagesa, të cilat sipas vendimit të gjyqtares Afërdita Caco duhet të paguhen nga Ministria e Brendshme, Këshilli i Ministrave dhe Policia e Shtetit.

Tashmë shteti do të paguajë dy paga për drejtor të Policisë, një për drejtorin aktual Muhamet Rrumbullaku dhe tjetra për ish-drejtorin Gledis Nano që u shkarkuar me vendim të kryeministrit Edi Rama.

Sipas vendimit të Gjykatës, argumentohet se qeveria ka mundësi të pakufizuar në emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por nuk e ka këtë të drejtë për shkarkimin e tij. Kjo pasi sipas ligjit shkarkimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit bëhet vetëm kur ai dënohet me një vendim gjykate të formës së prerë, ose kur nuk përmbushen objektivat e caktuara si shkak i performancës së dobët.

Marrë parasysh rrethanat e shkarkimit të Nanos, Gjykata i ka dhënë të drejtë atij për të përfituar të gjithë pagesat për 5 vite.

Kujtojmë këtu se ish-drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano është një nga drejtuesit më afatshkurtër në këtë detyrë. Ai u shkarkuar me vendim të kryeministrit Edi Rama në 31 gusht të vitit 2022, me propozim të ish-ministrit të Brendshëm të asaj kohe Bledi Çuçi, duke argumentuar se nuk i ka përmbushur objektivat.

Pas shkarkimit të Nanos, vendin e tij e zuri drejtori aktual Muhamet Rrumbullaku i cili më parë mbante pozicionin e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit