Policia Kenos me dorë të hekurt, ndalon dy vëllezërit që mbështetën protestën

Policia Kenos me dorë të hekurt, ndalon…

Dy vëllezër nga Peshkopia, me mbiemrin Bardhi, kanë përfunduar në arrest shtëpie, në një rast që ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si Policia e Shtetit po trajton qytetarët që shprehin mbështetje për protestat.

Sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, dy vëllezërit nuk kanë qenë pjesë e protestës, por kanë shpërndarë materiale në rrjetet sociale në mbështetje të saj. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar autoritetet t’i ndalojnë, ndërsa tashmë ata ndodhen në arrest shtëpie.

Denoncuesi pretendon se dy vëllezërit janë marrë forcërisht nga policia në momentin kur po niseshin drejt emigracionit. Njëri jeton në Angli dhe tjetri në Greqi, ndërsa ndalimi i tyre u ka ndërprerë udhëtimin drejt vendeve ku jetojnë.

Dhe këtu lind pyetja që Policia e Shtetit duhet t’i japë përgjigje: Çfarë kanë bërë konkretisht këta dy vëllezër? Nëse kanë kryer një vepër penale, autoritetet duhet të paraqesin faktet dhe provat. Por nëse bëhet fjalë vetëm për shpërndarje postimesh në mbështetje të protestës, atëherë kemi të bëjmë me një çështje që prek drejtpërdrejt lirinë e shprehjes.

Policia nuk mund ta trajtojë çdo qytetar që mbështet një protestë si kundërshtar që duhet vënë nën presion. Aq më pak mund të krijohet përshtypja se mjafton një postim në rrjetet sociale për të përfunduar përballë forcave të rendit.

Protestuesit në rrugë, qytetarët që i mbështesin nga shtëpia, apo ata që thjesht shpërndajnë një video, nuk mund të trajtohen si fajtorë pa prova për një shkelje konkrete të ligjit.

Policia e Shtetit duhet të sqarojë arsyet e ndalimit dhe bazën ligjore të masës së sigurisë ndaj dy vëllezërve Bardhi. Sepse në një shtet që pretendon se garanton liritë dhe të drejtat e qytetarëve, uniforma nuk mund të kthehet në simbol frike për këdo që shpreh një mendim të pakëndshëm për pushtetin.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit