Dita e 12-të e protestës kombëtare të studentëve dhe të rinjve është shoqëruar me tensione të forta, përplasje dhe përdorim të mjeteve të forcës nga policia. Mes personave që shfaqen të lënduar është edhe profesori Sazan Guri.
Në një foto të publikuar në rrjetet sociale, Guri shihet i shtrirë në tokë, teksa po merr ndihmë. Sipas pretendimeve që shoqërojnë pamjen, ai është goditur me plumb gome gjatë përplasjeve me policinë.
Pamjet ngrenë shqetësime të forta për mënyrën se si po ndërhyhet ndaj qytetarëve që ndodhen në protestë. Në bulevard janë përdorur gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome, ndërsa përplasjet kanë përfshirë zona të ndryshme të kryeqytetit.
Sazan Guri, profesor dhe aktivist i njohur për pjesëmarrjen e tij në protesta, është kësaj here mes personave që shfaqen duke marrë ndihmë në terren.
Është e papranueshme që përballja mes qytetarëve dhe forcave të rendit të shoqërohet me pamje të tilla. Përdorimi i forcës duhet të jetë proporcional dhe çdo rast i mundshëm i përdorimit të tepruar të saj duhet të hetohet, pavarësisht se kush është personi i lënduar.
Deri në një konfirmim të mëtejshëm, rrethanat e sakta se si është lënduar profesori Sazan Guri mbeten për t’u sqaruar.