Pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara gjatë protestës së sotme para Kryesisë së Kuvendit, Policia e Shtetit ka bërë bilancin paraprak të ngjarjes, duke njoftuar se 12 efektivë kanë mbetur të lënduar gjatë kryerjes së detyrës.
Sipas policisë, gjatë protestës një grup personash ka ushtruar dhunë ndaj forcave të rendit, duke goditur efektivët me gurë, tulla, shufra metalike dhe sende të tjera të forta. Si pasojë e këtyre veprimeve, 12 punonjës policie kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë ndihmë mjekësore.
Protesta, e organizuar para Kuvendit, nisi me thirrje kundër politikës dhe hedhje vezësh në drejtim të godinës, por më pas situata u përshkallëzua në përplasje fizike mes një pjese të protestuesve dhe efektivëve të vendosur në kordon sigurie.