Nëse dikush kishte ende iluzione se rrugët e vendit tonë janë të sigurta nga abuzimet e uniformave blu, videoja më e re e ardhur nga qyteti i Lushnjes e hedh poshtë çdo alibi. Pamjet e regjistruara nga pasqyra anësore e një automjeti nuk lënë vend për shumë fjalë: një patrullë e Policisë së Shtetit është shfaqur duke kërkuar hapur ryshfet nga drejtuesit e mjeteve.
Fraza ironike dhe revoltuese e qytetarit “Kjo është policia që duam” tregon më së miri realitetin e hidhur me të cilin përballen përditë qytetarët e thjeshtë. Në vend që rruga të sigurohet nga efektivë që zbatojnë ligjin, qytetarët ndeshen me praktika zhvatëse dhe haraçe nën emrin e detyrës.
Makina e policisë e ndaluar në rrugë dhe pazaret që bëhen fshehurazi nga dritarja e makinës janë pamje që diskreditojnë çdo aksion apo reformë zyrtare për pastrimin e radhëve të rendit. Këto skena provojnë se korrupsioni në terren mbetet një gangrenë e pashëruar.