Pas përplasjeve të ditëve të fundit pranë Kuvendit, policia është rikthyer sërish në “pozicion luftarak”, duke u vendosur në gatishmëri për një protestë të mundshme. Por duket se gjithë ky mobilizim për të mbrojtur godinën e ligjvënësve mund të ketë mbetur pa objektiv, pasi protestuesit kanë zgjedhur të mos e zhvillojnë më betejën e tyre te dera e Kuvendit, por çdo pasdite para Kryeministrisë.
Me sa duket, “muri i uniformave blu” nuk e ka ndalur dot mesazhin e protestës, i cili tashmë po zhvendoset në një tjetër adresë. Qytetarët besojnë se ajo që shqetëson më shumë qeverinë nuk janë vezët drejt makinave të zyrtarëve apo përplasjet me policinë, por këmbëngulja e një proteste paqësore që vazhdon ditë pas dite.
Ndërkohë, policia vijon të monitorojë situatën dhe të jetë gati për çdo skenar, edhe pse deri tani nuk ka një njoftim zyrtar për një tubim të ri. Pas 44 ditësh përplasje, duket se beteja ka marrë një tjetër drejtim: jo më përballje te Kuvendi, por një provë durimi përballë Kryeministrisë, ku zhurma e protestës synon të dëgjohet më fort se sirenat e gatishmërisë.