Politikanët festojnë 1 Prillin

Politikanët festojnë 1 Prillin

Kjo e hënë shënon në kalendar datën 1 prill, datë e cila gjerësisht njihet në Europë por edhe Shqipëri si dita e gënjeshtrave. Sipas historisë, kjo ditë ka nisur nga romakët e lashtë, të cilët në këtë datë festonin një festë luksoze për nder të perëndeshës Venus. Por, në një vend me halle si Shqipëria, 1 prilli është prezent në 365 ditët e vitit.

Për politikanët tanë, që në mbi 30 vite kanë vjedhur dhe skllavëruar shqiptarët, nuk ka një festë zyrtare, ndaj 1 Prilli, është dita e tyre për të festuar. Në kalendar, ka festë për gratë, ka festë për fëmijët, ka festë për të dashuruarit, ka festë edhe për komunitetin LGBT, ka shumë festa, ndërsa politikanët shqiptarë e kanë festën e tyre pikërisht, më 1 prill.

Nuk ka datë më të zgjedhur se 1 prilli për politikanët shqiptarë, pasi në mbi 30 vjet me radhë vetëm gënjejnë. E bëjnë këtë pa pushim, në mënyrë të paturp dhe hapur fare, në studiot televizive, në Parlament, në rrjetet sociale, në mediat e huaja, e kudo të munden. Gënjeshtrat e tyre mbajnë peng Shqipërinë, zhvillimin e saj dhe prosperitetin e kombit shqiptar në tërësi.

Politikanë shqiptarë! Gëzuar 1 prillin, ditën tuaj ku jeni vetvetja. Në mënyrën se si konceptohet 1 prilli, pra dita e gënjeshtrave, ju e keni përmbushur me sukses.

300 mijë vende pune, shëndetësi falas, barazi para ligjit, të korruptuarit në burg etj. Këto ishin premtimet e kryeministrit aktual para se të merrte votat, të cilat jo që nuk janë mbajtur, por e kanë zhytur vendin edhe më keq.

E njëjta gjë mund të thuhet me të djathtën, Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, të cilët vetëm bllokojnë, vetëm cirren, vetëm gënjejnë, vetëm e ndihmojnë qeverisjen në gënjeshtrën e saj. Sot ka festë edhe Ilir Meta, i cili ka qenë personi që solli në pushtet Ramën, e që sot e ka armik për interesat e pushtetit.

Fatura që duhet të paguajnë shqiptarët nga këto mashtrime pozitë-opozitë është miliarda euro borxhe, të cilët nuk i kanë marrë ata, por i paguajnë ata, sepse politikanët i kemi të paaftë e mashtrues. Ndaj, edhe një herë, gëzuar 1 prillin politikanë shqiptarë, gëzuar ditën tuaj, e vetmja ditë e vitit që jeni vetvetja. Gëzuar!

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit