Porosia për vrasjen e 58-vjeçarit në Vlorë erdhi nga Dubai? Arrestohet bashkëpunëtori i autorit

Porosia për vrasjen e 58-vjeçarit në Vlorë…

Eris Mehmetaj, personi që shihni në foto është tropojani i arrestuar nga Policia e Shtetit si i dyshuar për përfshirje në ekzekutimin e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, mëngjesin e 27 prillit në qytetin e Vlorës.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, Mehmetaj akuzohet se i ka siguruar automjetin autorit të vrasjes, ndërsa i ka ndërruar edhe targat për të shmangur identifikimin nga policia. Prokuroria dyshon se Mehmetaj kishte njohje të ngushtë me autorin dhe ka luajtur një rol kyç në logjistikën e atentatit.

Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se Mehmetaj ka pasur aktivitet në fushën e shit-blerjes së pasurive të paluajtshme, por gjithashtu ka qenë edhe mik i afërt i Roan Brahimit, një personazh i njohur i botës së krimit, i cili u ekzekutua një vit më parë në Athinë. Vetëm disa ditë më parë, u vra edhe babai i Brahimit, Gjovalin Prendi, duke thelluar dyshimet për një zinxhir hakmarrjesh mes grupeve kriminale.

Arrestimi i Mehmetajt u bë mbrëmjen e kaluar. Gjatë kontrollit, policia i sekuestroi telefonin personal, brenda të cilit thuhet se janë gjetur prova të vlefshme për zbardhjen e vrasjes së Hoxhajt. Pista kryesore hetimore tregon se vrasja mund të jetë porositur nga një grup kriminal që operon nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku edhe Mehmetaj kishte udhëtuar kohët e fundit.

Në profilin e tij në rrjetet sociale, Mehmetaj ka publikuar foto nga Dubai, vetëm një muaj më parë, duke ekspozuar një jetë luksoze.

Ndërkohë, Policia ka marrë në pyetje pesë persona në lidhje me ngjarjen, përfshirë edhe bashkëjetuesen e viktimës, Klodiana Rakipaj.

Renato Hoxhaj, i cili punonte si roje ndërtimi, u qëllua me tre plumba – dy në kokë dhe një në trup – teksa ndodhej pranë banesës së tij në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë. Viktima ndërroi jetë në vend, ndërsa trupi u gjet nga partnerja e tij, e cila dëgjoi të shtënat dhe doli menjëherë jashtë.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e përfshirjes së elementëve të tjerë në këtë ngjarje me prapavijë kriminale.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit