Pozonte si fotomodele në Tik-Tok, ILD urdhëron hetim disiplinor ndaj kryegjykatëses së Elbasanit

Pozonte si fotomodele në Tik-Tok, ILD urdhëron…

Ndërsa Elbasani është nën sundimin e krimit prej shumë kohës tashmë, kryetarja  gjykatës Enkeleda Kapedani gjen kohën të lazdrohet në TikTok.

Qyteti është kthyer në kasaphanë me ekzekutime të njëpasnëshme dhe ku sundimi i ligjit dhe prania e shtetit ka qenë thuajse inekzistente prej shumë vitesh me një situatë që ka ardhur duke u rënduar.

Dhjetëra persona janë ekzekutuar vetëm muajt e fundit në Elbasan, që njihet për përplasjet e forta mes bandave të drogës.

Para rreth një muaji  qyteti u trondit nga një përplasje me armë ku humbi jetën Pjerin Xhuvani e u plagosën katër persona të tjerë, një ngjarje e rëndë që ndodhi vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 25 prillit dhe në prani të dhjetëra efektivëve të policisë.

Ditën e djeshme, ish-kryeministri Berisha denoncoi një grabitje me vlera të mëdha të ndodhur në qytet.

Pavarësisht gjithçkaje, kryetarja e Gjykatës së Elbasanit, Kapedani, duket e imunizuar dhe pashqetësuar nga e gjithë situata e rëndë që mbizotëron në qytet dhe gjen kohën të argëtohet në TikTok me video nga më të ndryshme duke ekspozuar veshjet.

Madje nën ritmet e muzikës në njërën prej shumë videove të publikuara prej saj dëgjohet në sfond: ‘Jam mafia, mafia, mafia’.

 “Hashtag.al” u informua mbi performancën e saj në TikTok nga disa punonjës në policinë e shtetit dhe në prokurori, të cilët prej vitesh e konsiderojnë  zonjën Kapedani si një gjyqtare problematike sa i takon lirimit të elementëve kriminalë.

E emëruar në këtë gjykatë në tetor të vitit 2015, ajo u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 shtator 2020. Në dhjetor 2019, Kapedani ka liruar nga burgu Viktor Ymerin e bandës së Gaxhait. /Hashtag.al

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit