
Tre peshkatarë rrezikuan të mbyteshin në afërsi të ishullit të Sazanit, pasi anija e tyre u fundos. Ata kishin dal herët në mëngjes për të gjuatur peshk në një zonë të njohur gjuetie, por janë hasur në një pengesë nën ujore. Mezin Mezini pasi ndau përqafimet e parë në breg të deti me ata të cilët e ndihmuan të shpëtonte, tregoi për media se anija e tyre ngeci.
“Ramë në një ngecje të tmerrshme. Nuk arritëm dot të dilnim, vinçi na u prish, pati dhe dallgë. Nuk arritëm ta kuptonim çfarë ishte dhe nuk e ngrinim dot si peshë. Jam hasur edhe me vështirësi të tjera por jo si kjo” – tregon peshkatari.
Frika më e madhe e Mezinit ishin fëmijët. Ai rrëfen se profesionin e peshkatarit e ushtrojnë familjarisht. Në kushte kur nuk kishin shumë për të menduar, peshkatari tregon se kanë shfrytëzuar një pjesë të anijes që qendronte në sipërfaqe për t’i shpëtuar mbytjes.

“U ndjemë në vështirësi, kur ke dhe fëmijët me vete, punojmë si familje. Ne kemi qendruar si nëpër ato filma, sipër anijes. Anija u përmbys dhe ne qendruam mbi të” – tha peshkatari.
Mezin Mezini kërkon ndihmë për të riblerë një anije të re peshkimi, pasi me këtë profesion ka kaluar gjithë jetën dhe e sheh si të vetmin burim të ardhurash në familje.