Homeland Justice publikojnë numrat e telefonit të shqiptarëve

Homeland Justice publikojnë numrat e telefonit të…

Shqipëria po përballet me një tjetër skandal që lidhet me publikimin e të dhënave personale të qytetarëve.

Këtë herë në shënjestër të hakerave iranianë kanë qenë numrat e telefonit të shqiptarëve.

Materiali 1.05 giga byte u publikua ditën e sotme në mëngjes nga hakerat “Homeland Justice” në platformën e komunikimit Telegram.

“Linjat telefonike shqiptare kanë rezultuar të jenë mjete në shërbim të aktiviteteve terroriste të MEK në vende të tjera”, shkruajnë Homeland Justice në Telegram.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Faqja “Homeland Justice” e njohur ndryshe si “Drejtësia e Atdheut” ka publikuar pak kohë më parë të dhënat personale të mijëra shqiptarëve.

Në faqen e tyre janë publikuar 7 dosje, ku paraqitet emri, mbiemri dhe numri personal i kartës së identitetit të çdo qytetari shqiptar dhe përkrah tyre, edhe numri i telefonit.

“Loja është gati për të filluar. Tani njerëzit do e kuptojnë se politikanët e tyre të korruptuar nuk kanë bërë asgjë për sigurinë e tyre” shkruan grupi i hakerave para postimit të databazës me të dhënat e qytetarëve të Shqipërisë.

Madje më herët ka bërë publike edhe e-maile të institucioneve më të rëndësishme shqiptare, përfshirë edhe ato të kryeministrit Edi Rama.

Fill pas sulmit, ky i fundit tha se të dhënat e institucioneve shtetërore nuk ishin fshirë dhe se sulmi ishte zmbrapsur.

Për të mbrojtur të dhënat, Shqipëria ka marrëveshje me një kompani amerikane, ndërsa kërkoi ndihmën e ekspertëve të FBI për këtë çështje.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit