Prapaskenat e Zgjedhores/ Si u rrëzua drafti amerikan, angazhimi i diplomatit gjerman dhe tërheqja e Ramës

Prapaskenat e Zgjedhores/ Si u rrëzua drafti…

Një marrëveshje me 12 pika u nënshkrua nga 4 anëtarët e Këshillit Politik për reformën zgjedhore. Pika e vetme që mbante larg palët nga marrëveshja e hartuar në rezidencën e ambasadores amerikane Yuri Kim ishte depolitizimi i administratës zgjedhore.

Opozita e bashkuar nuk pranoi këtë pikë me pretendimin se administrata është e politizuar dhe ajo humbiste të drejtën për të pasur përfaqësuesit e saj politikë në Komisionet Zgjedhore dhe Grupet e Numërimit të Votave.

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, 3 ditë më parë, në një deklaratë për mediat e cilvsoi si shumë të mirë draftin, ndërsa kërkoi nga opozita e bashkuar që t´a pranonte. Deklarata e Kim u bë në mbrëmje, rreth 90 minuta pasi ajo dhe kolegët e saj diplomatë të Britanisë së Madhe dhe BE, përkatësisht Duncan Norman dhe Luigi Soreca, bashkë me dy anëtarët e Këshillit Politik, Damian Gjiknuri dhe Rudina hajdari, pritën dy përfaqësuesit e opozitës së bashkuar, Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashi.

Ndërkohë të nesërmen, kur nga opozita nuk u dha dakordësia, në selinë e Delegacionit të BE-së në Tiranë, u organizua një takim në nivel ambasadorësh të vendeve të BE-së me diplomaten e SHBA dhe atë të OSBE.

Pas këtij takimi, drejt selisë së PD-së u nis Peter Zingraf, ambasadori i Gjermanisë, i cili u takua me kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Takimi ishte larg vëmendjes së mediave, asnjë prej palëve nuk dha detaje, ndërsa jozyrtarisht pohohej se negociatat po zhvilloheshin jo me ndërmjetësimin amerikan, por atë europian. Më konkretisht, duket se në skenarin “B” të arritjes së marrëveshjes kishin hyrë të tjerë diplomatë. Ambasadori gjerman nuk ishte përfshirë në negociimet e nisura pas 31 majit në rezidencën amerikane mes Oerd Bylykbashit, Petrit Vasilit, Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdarit.

Në media ishin ngritur disa pikëpyetje lidhur me qëndrimin larg, të paktën publikisht të një prej ambasadorëve me një ndikim të fortë në politikën shqiptare, aq më tepër kur 14 kushtet që iu vendosën Shqipërisë nga BE, ishin pikërisht kushtet e Bundestagut.

Pas dy takimeve të zhvilluara në rezidencën e ambasadores Kim, negociata që zgjatën 18 orë dhe kundrejt deklaratave optimiste të diplomatëve se ishte bërë progres në arritjen e marrëveshjes, u konstatua se ishte edhe një çështje që palët ndodheshin në pozicione krejt të kundërta.

Nga njëra anë, Qeveria përmes Damian Gjiknurit, insistonte në Këshillin Politik për depolitimin 100 % të administratës zgjedhore, referuar këtu edhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Opozita e bashkuar nuk e pranonte këtë opsion, ndërsa si formulë e ndërmjetme ishte ajo që një nga anëtarët e komisionit mund të ishte i depolitizuar.

Kjo është edhe çështja që dallon dy draftet, atë të hartuar në “tokën amerikane” dhe atë të të ardhur nga Delegacioni i BE-së.

E ndërsa ishin kapërcyer përplasjet për identifikimin biometrik, si dhe ishin dakordësuar për çështjen e trajtimit të ankesave, ku opozita kishte hequr dorë nga propozimi që ato të trajtoheshin në Kushtetuese, diplomatët Yuri Kim, Duncan Norman dhe Luigi Soreca, u gjendën përballë mosdakordësisë për përbërjen e Komisioneve Zgjedhore dhe Grupeve të Numërimit të Votave.

Burime diplomatike shprehen se në takimin e mbajtur mes ambasadorëve, duket se ka marrë përsipër negociimin me opozitën, ndërsa nga Delegacioni i BE-së është hedhur në tavolinë opsioni sipas të cilit palët ranë dakort, pra mosndryshim të përbërjes së komisioneve zgjedhore dhe grupeve të numërimit të votave për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale.

Ky propozim duket se u pranua nga opozita e bashkuar, ndërkohë që vëmendja diplomatike u pvrqëndrua te Kryeministri Edi Rama. Ky i fundit mbronte deri në fund depolitizimin e administratës dhe ndoshta mund të jetë gjendur i papërgatitur nga propozimi i ri, ai europian.

Në kushtet kur data 8 qershor po afronte dhe çështja e reformës zgjedhore është pika e parë për nisjen e bisedimeve mes Shqipërisë dhe BE për negociatat, duket se Rama ka dhënë një dakordësi edhe për çështjen e fundit të mbetur pezull.

Pak minuta para mbledhjes së Këshillit Politik, mbrëmjen e së premtes, Rama zhvilloi një takim me Damian Gjiknurin, ku duket se iu çel drita jeshile draftit final me 12 pika.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit