Pas letrës së hapur që dy intelektualë i drejtuan Këshillit të Qarkut Kukës, kryetari i Këshillit, Abdulla Domi I hoqi titullin “Nderi i Qarkut Kukës” publicistit dhe politikanit Veton Surroi, titull që i ishte dhënë në vitin 2015.
Ndër të tjera pretendimet e tyre vijojnë më tej me veprimtaritë publike në shërbim të propagandës kundra Luftës Çlirimtare, në vitet e pasluftës në Kosovë të Veton Surroit. Me frymën antikombëtare, shkruhet në letër, Veton Surroi publikoi në shtëpinë e tij botuese “Koha”, libra me tituj “Duart e Përgjakura”, “Këmbët e Gjarpërit”, ku janë hedhur fakte të pavërteta me urrejtje kundra luftës dhe ku UÇK konsiderohet si vrastare e njerëzve të pafajshëm. Më tej shpjegohet se librat i ka ribotuar në mijëra kopje dhe i ka promovuar në Beograd dhe që sot trillimet e bëra në libra përbëjnë platformën e akt akuzës në Hagë.
Këtë vendim kryeministri Rama e ka quajtur si lajthitje kolektive, teksa i ka bërë thirrje prefektit të qarkut të mos firmosë një akt të tillë, ndërsa kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici kërkoi ndjesë për veprimin e nxituar. Gazeta Atdheu ka mësuar se prefekti do e rrëzojë vendimin dhe Veton Surroit do i kthehet titulli i nderit të qarkut Kukës, ndërsa pritet që të martë të ketë një konferencë sqaruese mbi këtë çështje.