Prej 48 orësh i bllokuar në minierë, gazetari: Qeverisë nuk i kërcet hiç për minatorin

Prej 48 orësh i bllokuar në minierë,…

Gazetari Klodian Tomorri ka deklaruar sot se qeverisë nuk i intereson për minatorin.

Prej 48 orësh një minator ka mbetur i bllokuar në minierë pas një aksidenti në punë dhe ende nuk dihet fati i tij.

Reagimi i gazetarit:

Ka 48 ore minatori i bllokuar në një minierë atje në Bulqizë. Asnjë deklaratë, asnjë njoftim zyrtar nga autoritetet se çfarë po ndodh me operacionin e shpëtimit.

Bënë 20 orë seancë në Parlament dje. Folën të gjithë. Foli Kryeministri, foli ministrja e Energjisë, folën deputetët e maxhorancës. Askush nuk tha gjysme fjalë për minatorin. Për ironi qeveria po prezantonte programin e njerëzve, nga njerëzit për njerëzit.

Foli dhe opozita. Të gjithë deputet nga kryetari deri tek deputeti i fundit. Askush nuk i kërkoi llogari ministres apo qeverise se çfarë po bën shteti për të shpëtuar minatorin.

Bënin sikur ziheshin gjithë ditën dje. Njëra ane thoshte duam pushim sa të vije kryeministri. Ana tjetër thoshte s’ka pushim se kryeministri është i zënë me hallet e popullit. Një farsë e madhe palaçosh.

E hidhur është kjo, por e vërteta duhet thënë troç. Këtyre nuk u kërcet hiç për minatorin, punëtorin, fukarain.

Në Ministrinë e Energjisë ekziston një departament i posaçëm, që quhet Reparti i Inspektim dhe Shpëtim Minierave. Ky repart është posaçërisht për këtë qëllim. Të kryeje operacione shpëtimi në raste emergjencash.

Se çfarë po bën RISHM-i aktualisht nuk ka asnjë informacion zyrtar. Mund ta dëgjosh ndonjë gjysmë informacioni nga mediat. Ndërsa qeveria nuk ka asnjë informacion për të ndarë me publikun për këtë çështje.

Në sytë e pushtetit, jeta e minatorit nuk vlen.

Ato që vlejnë janë tenderat dhe llokmat e buxhetit. Sa më shumë para tenderash ndajnë këta, aq më mjeranë bëhen në shpirt. Tani kanë filluar ta konsiderojnë jetën e njeriut si një gjë me të cilën nuk ja vlen të merresh.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit