
Në një dhomë të vogël të spitalit Nasser, në zemër të Gazës së shkatërruar, jeta e një foshnjeje pesë muajshe varet në një fije. Ajo quhet Siwar Ashour dhe nuk ka zë. Jo sepse nuk ka çfarë të thotë, por sepse e ka humbur fuqinë për të bërë zë. Lufta ia ka mbytur të qarën.
Pesha e saj është vetëm pak më shumë se 2 kilogramë më pak se gjysma e asaj që duhet të peshojë një foshnje në këtë moshë. Trupi i saj i brishtë është një hartë e kequshqyerjes ekstreme: koka duket disproporcionalisht e madhe, krahët dhe këmbët janë bërë si degë të thara, dhe lëkura i shfaq eshtrat sa herë që përpiqet të lëshojë një klithmë që nuk del.
Nëna e saj, Najwa, vetëm 23 vjeçe, është përkulur mbi të, duke i ndërruar pelenën. E pafuqishme, e lodhur, e rraskapitur nga mungesa e ushqimit për veten dhe për vajzën e saj. “Nuk kishte asgjë kur e linda,” thotë ajo. “Nuk kisha ç’të haja. E si mund të ushqeja me gji, kur vetë isha bosh?”
Tani, e vetmja shpresë për mbijetesën e Siwar-it është një formulë e posaçme qumështi që po zhduket nga raftet e spitaleve. Furnizimet janë rralluar aq shumë, saqë për të gjetur një shishe të vetme, mjekët e kërkuan në të gjithë sektorin shëndetësor të qytetit dhe e gjetën vetëm në një spital.
Kur të largohen nga spitali, Najwa do të marrë me vete vetëm një shishe qumështi. Ajo do të zgjasë katër ditë. “Pas kësaj, nuk e di çfarë do të bëjmë,” thotë ajo. Bashkëshorti i saj është i verbër, i papunë, dhe i paaftë për të siguruar ndihmë. Edhe nëse do të gjenin formulën, çmimi është i papërballueshëm.
Izraeli ka bllokuar hyrjen e gazetarëve ndërkombëtarë në Gaza por pamjet e regjistruara nga një gazetar i BBC-së janë të pamohueshme një foshnje që po tretet para syve të botës, në një vend ku as qumështi nuk mund të kalojë kufirin.
Mjeku i saj, Dr. Ziad al-Majaida, thotë se kjo është hera e dytë që Siwar është shtruar në spital. Arsyeja është e njëjtë, mungesa e formulës së qumështit. “Asgjë nuk futet më në Gaza. As ushqim, as ilaçe. Rezervat janë bosh.”
Spitali përpiqet t’i japë asaj gjithçka që mundet, por foshnja është e rraskapitur, me diarre të vazhdueshme. Mjeku e thotë qartë: “Nëse nuk merr ushqimin e duhur, jeta e saj është në rrezik. Por nëse e marrim, mund të shpëtohet.”