Premtimet elektorale për Tiranën/ Në fillim tramvaji, më pas ujë 24 orë, dhe tani transporti falas

Premtimet elektorale për Tiranën/ Në fillim tramvaji,…

Tirana është një bastion i madh votash dhe një pushtet i rendësishëm në politikbërjen e Shqipërisë. Bashkia më e madhe e vendit ka fondet, infrastrukturën, mundësitë, përqendrimin e burimeve njerëzore dhe kushtet e duhura për të qenë vendimmarrëse edhe në pushtetin qendror. Për këtë bashki bëhet një luftë e madhe elektorale ku kandidatët premtojnë çudira, në letër të realizueshme por që në realitet mbeten në sirtarët e bashkisë.

Ju kujtohet Basha kur premtoi se do ta bënte Tiranën me tramvaji? Një premtim i jashtëzakonshëm që do t’i sillte kryeqytetit një pamje të re europiane. Ashtu siç pritej, nuk u bë. Për njëmijë e një arsye, Lulzim Basha u justifikua se përse nuk arriti ta realizonte këtë premtim. Sot tramvaji kujtohet se një barsaletë e bukur tironse.

Ujë 24 orë! Sa prej jush e kanë dëgjuar këtë premtim nga Erion Veliaj në 8 vitet e tij në pushtet? Jo pak por disa herë në çdo vit. Veliaj e nisi këtë premtim që nga viti 2015, dhe po kërkon të paktën edhe disa vite që ky premtim të realizohet. Sërish një premtim elektoral, të cilin Veliaj e ideoi që kur ishte aktivist i “Mjaftit” duke mbushur bidonin me ujin e shiut, por që dy mandate në pushtet nuk i mjaftuan për ta realizuar.

Së fundmi është një tjetër premtim eletoral nga Belind Këlliçi, transport publik falas. Një premtim që ka një efekt zinxhirë në konkurencën e lirë dhe të ndershme si dhe në bërjen realitet të tij. Janë 11 kompani që u është dhënë, apo kanë privatizuar, transportin e shërbimit urban. Prishja e kontratave do t’i kushtonte buxhetit të qytetarve të Tiranës më shumë para sesa do t’u sillte transporti falas.

Në dukje edhe ky është një premtim i parealizueshëm, ose të paktën do shumë vite që të kryhet. Institucioni i bashkisë është i lidhur ngushtë me biznesmenët ose kompanitë e mëdha, të cilat marrin dhe japin shërbime me tendera. Nëse Belind Këlliçi do të fuste autobusë publik të bashkisë, duke i blerë me fondet e institucionit e që do të ofronin këtë shërbim, atëherë ky do të ishte një tjetër premtim. Por duket se Këlliçi do të zhbëjë ligjin aktual të transportit.

Sidoqoftë, në peshore premtimet e politikanve mbeten fjalë boshe, për të joshur marrjen e votave dhe sigurimin e pushtetit të munguar politik.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit