
Një banor i Lushnjës i ofron 4 milion lekë për të punësuar të birin si inspektor mjedisi në Fier, Dritan Ndrecës, i cili hiqet si vëllai i Plarentit, zyrtar i lartë i PS-së i përfshirë në çështje të tjera dhe nën hetim nga SPAK-u.
Një skemë ndikimi të paligjshëm përmes lidhjeve familjare është zbuluar nga SPAK-u, ku në qendër të hetimit ndodhet Dritan Ndreca, një qytetar nga Puka që jeton në fshatin Ngurëz i Vogël, Lushnjë. Ai akuzohet se premtoi punësim në administratën publike në këmbim të një shume parash, duke u përballur tani me akuzën për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në dosjen hetimore nr.586 të regjistruar nga SPAK, theksohet se Ndreca – i cili rezulton të jetë realisht, djali i xhaxhait të zyrtarit socialist Plarent Ndreca – ka kërkuar dhe përfituar një shumë prej 4 milion lekësh të vjetra nga Arjan Ndoni. Sipas dëshmisë së këtij të fundit, paratë i janë dhënë në këmbim të premtimit për punësimin e djalit të tij, Eljo Ndoni, si inspektor mjedisi në qytetin e Fierit.
Dritan Ndreca kishte deklaruar se këtë punësim do ta siguronte përmes ndihmës së vëllait të tij, Plarent Ndreca, i cili në vitin 2020 mbante detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme. Pa kaluar në një procedurë konkuruese apo aplikim të rregullt, Ndoni pretendon se iu dorëzuan dokumentet e shkollës dhe u bë aplikimi në Tiranë.
Në fillim, Dritan Ndreca kishte kërkuar një shumë paraprake prej 2 milion lekësh të vjetra, të cilën Arjan Ndoni e ka paguar në formë kapari. Sipas planit fillestar, punësimi do të realizohej në muajin qershor, por më vonë u shty për në shtator. Edhe ky afat nuk u përmbush, dhe kur u kërkua rikthimi i parave, Ndreca premtoi sërish se punësimi do të bëhej në nëntor.
Pas dështimit për të siguruar vendin e punës, Arjan Ndoni iu drejtua policisë së Fierit me një kallëzim penal ndaj Dritan Ndrecës, duke e akuzuar për “Mashtrim” dhe “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm”. Hetimi përfundoi në SPAK, ku pas grumbullimit të provave, Dritan Lleshi alias Ndreca u mor zyrtarisht i pandehur.
Tani ai rrezikon një dënim me 8 muaj burgim, ndërsa rasti ka ngjallur reagime mbi mënyrën si funksionojnë lidhjet e nepotizmit dhe ndërhyrjet në administratën publike. Ky proces ka ngritur sërish shqetësime mbi ndikimin e lidhjeve familjare në emërimet shtetërore, sidomos në sektorë si ai i mjedisit.