Presidenti i Federatës serbe: Zoti na ruajt, po na ra shorti me Shqipërinë

Presidenti i Federatës serbe: Zoti na ruajt,…

Admiruesit e futbollit në Shqipëri nuk e kanë harruar ndeshjen e famshme të kombëtares shqiptare në eleminatoret e Euro 2016 kundër Serbisë, dhe dhunën që u shkaktua në stadiumin Partizani në Beograd.
Ajo ngjarje duket se nuk është harruar as nga serbët, të cilët i druhen një përballje në Europianin 2024 me Shqipërinë. Këtë la të nënkuptohet Presidenti i Federatës së Futbollit në Serbi, Dragan Xhajiq në konferencë për mediet.


Teksa u pyet se çfarë do të ndodhë në momentin e shortit nëse përcaktohet një përballje me Shqipërinë, Legjenda e futbollit serb dhe jugosllav, kampion i Evropës si lojtar i vitit 1968 dhe yll i Cërvena Zvezdës, nuk lë asnjë dyshim për ndjenjat e tij.

“Nga të gjitha këto ekipe në short, nuk është e lehtë të zgjedhësh katër skuadra që dëshiron në grup. Çfarëdo që të ndodhë, do të jetë e vështirë. Në një farë mënyre, do të jetë gjithmonë e vështirë. Unë nuk mund të zgjedh tani. Gjermania, Franca, Spanja janë të ashpër, por edhe Rumania është e ashpër. Zoti na ruajt të jetë Shqipëria. Nuk e di kush tjetër mund të na shkaktojë probleme”, tha Xhajiq.


Skandali që u regjistrua në Serbi, ka ngjallur frikë se në një tjetër përballje me Shqipërinë, mund të ndodhë diçka e ngjashme. Kujtojmë se në vitin 2017, shorti e vendosi Skënderbeun në grup me Partizanin e Beogradit në Ligën e Evropës. Kjo sfidë krijoi shqetësimi në kryeqytetin serb, në të cilin u morën masa sigurie të ngjashme me gjendjen e luftës.


Të mos harrojmë se çfarë ndodhi në Botërorin e Katarit kur Serbia u përball me Zvicrën, përfshirë Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin, duke rrezikuar një skandal të vërtetë me tensione të ndezura që nga Botërori 2018 në Rusi kur Xhaka dhe Shaqiri shënuan kundër serbëve, duke festuar me duart e kryqëzuara, simbol i shqiponjës.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit