Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka nderuar me medalje nderi grupet e mirënjohura të muzikës shqiptare ‘rock’, Minatori, Trix, Elita 5, TNT, Gjurmët, Oda, 403, MAK, Ilirët, Telex, Fisnikët dhe Fontana. Këto grupe kanë bërë histori dhe rryma muzikore e ndjekur nga dashamirësit pavarësisht evolucionit të muzikës shqiptare ende dëgjohen në ambientet e ndryshme në Shqipëri dhe Kosovë.
“Ndarja e Medaljeve Presidenciale për Rock grupet Rock. Grupet e viteve ’80 kanë qenë pjesë e “boom”-it kulturor në Kosovë, në kohën kur ajo po shtypej e kultura jonë po mohohej. Muzika e tyre paralajmëroi e stimuloi ndryshime shoqërore dhe u bëri jehonë aspiratave, zhgënjimeve dhe ëndrrave të një brezi të etur për ndryshim.

Mbrëmë Presidentja Osmani ua ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave rock grupeve: Minatori, Trix, Elita 5, TNT, Gjurmët, Oda, 403, MAK, Ilirët, Telex, Fisnikët e Fontana.” – thuhet në njoftimin zyrtar të zyrës së presidentes Osmani.

Nga grupet e muzikës shqiptare më të njohurat janë Elita 5 që u krijua në fillim të viteve të 90 në Tetovë nga Agron Idrizi duke sjellë hitet si “Al Kapone”, “Çmendem”, “Çka më ka syri”, “E urrej shiun” dhe shumë të tjera. Gjithashtu edhe grupi Gjurmët i krijuar në vitin 1981 në Prishtinë me këngët si “Era”, “Një grusht qershi”, “Të shtrirë mbi kanape” dhe “Mëngjesi”. Por nuk mbeten pas edhe Ilirët, Fisnikët apo edhe TNT.