Sikur të mos mjaftonin trafikantët dhe pedofilët, prindërit tashmë duhet të mbrojnë fëmijët edhe nga priftërinjtë. Abuzimet seksuale me të miturit po rriten frikshëm. Të ekspozuar ndaj një shoqërie pa ndjenjë humane, fëmijët po bien pre e sulmeve seksuale nga më të ndryshmet.
Së fundmi raportohet se më shumë se 200,000 fëmijë ishin viktima të abuzimit seksual nga priftërinjtë e Kishës Katolike Spanjolle. Të dhënat janë publikuar nga një monitorim i një komisioni të pavarur të organizuar nga Avokati i Popullit me kërkesë të Kongresit.
Spanja ka një popullësi prej 39 milionë banorë, ku 0.6% e popullsisë së rritur deklarojnë se kanë pësuar dhunë seksuale nga klerikët kur kanë qenë fëmijë. Kjo përqindje rritet në 1.13%, pra në më shumë se 400,000 njerëz, nëse përfshihen edhe njerëzit që kanë punuar në institucione të mbikëqyrura nga Kisha.
Në një vend ku presupozohet që njerëzit të gjejnë paqe, t’i luten e të adhurojnl Zotin, besimtarët ngacmohen seksualisht nga klerikët. E sa më keq kur pre e këtyre ngacmimeve janë edhe fëmijët e mitur. Spanja nuk është i vetmi vend ku ky fenomen është i përhapur, por ka një sërë shtetesh të tjera.
Madje skandalet seksuale janë shtrirë deri në Vatikan, aty ku udhëheq Papa Françesku. Ky i fundit shpesh herë ka mbajtur takime enkas për të dënuar aktet abuzive të klerikëve të tij, si brenda por edhe jashtë Vatikanit.