Prindërit e fëmjëve të infektuar me salmonelë në kopshtin e qytetit të Gramshit mbajtën sot një protestë, ku kërkuan që institucionet të garantojnë zbardhjen e plotë të kësaj çështje që i ka shqetësuar tepër.
Teksa folën për mediat, prindërit treguan se fëmijët janë sëmurur që fundjavën e shkuar, dhe i kanë dërguar në spital të hënën e datës 19 maj. Pas kryerjes së analizave, disa prej të vegjëlve kanë rezultuar të infektuar, dhe kanë marrë ndihmë në spital.
Prindërit thonë se edhe tani që kanë kaluar 8 ditë nga paraqitja në spital, gjendja e fëmijëve është përsëri jashtë normalitetit, e shoqëruar me dhimbje të vazhdueshme barku, stomaku, diarre dhe temperaturë.
Ata thonë se nuk ndihen të sigurt për t’i rikthyer fëmijët në kopsht, duke shprehur shqetësimin se një situatë e tillë mund të përsëritet.
Pjesë nga ajo që thanë prindërit në protestën e mbajtur sot:
“Ne si prindër kërkojmë drejtësi, të zbardhet kjo çështje. Nuk duam të përfitojmë asnjë gjë nga kjo. Me sa kam parë tenderi i është dhënë një kompanie jashtë qytetit tonë. Ne kemi biznese këtu që ne i njoftim 1 000 herë më mirë dhe dinë ta bëjnë furnizimin, s’ka pse të dali jashtë bashkie kjo gjë.”, tha një prind.
“Ne kemi qenë shumë të shqetësuar. Fëmija im ka që të martën që është i infektuar. Mjekja na dha ilaçin dhe pas mjekimit është disi më mirë, ka rënë temperatura, por dhimbjet e barkut vazhdojnë akoma dhe nuk e dimë sa do zgjasë. Unë nuk jam i sigurt për ta çuar prapë fëmijën në atë kopsht, pasi nesër mund të ndodhë prapë,” tha një prind tjetër.
“Djali im është i konfirmuar me salmonelë. Njoftimin e mora nga edukatorja e kopshtit të hënën, se fëmija shfaqi temperaturë. Sot po bëhen 8 ditë, dhe dhimbja e barkut, e stomakut, diarreja dhe temperatura vazhdon. Jemi trembur, jemi në gjendje ankthi dhe shoku. Kërkoj që të ketë siguri për ushqimin”, tha nëna e një djali.
“Na keni helmuar fëmijët, jepni përgjigje! Unë do i bëj thirrje prokurorisë. Në prokurorinë tonë është një djalë nga Gramshi, i bëj thirrje Kreshnik Ajazit, ndiqe këtë çështje mos e lerë, çoje deri në fund,” tha një tjetër prind.