Gjatë fjalës së tij, Susaj u bëri thirrje pedagogëve që t’u bashkohen protestave, duke kritikuar ata që, sipas tij, vendosin interesat partiake mbi mbështetjen ndaj studentëve. Ai theksoi se të rinjtë nuk duhet të përballen me presion apo shantazh për t’u kthyer në mësim, ndërsa hodhi poshtë pretendimet se drejtuesit e universiteteve po i pengojnë pedagogët të mbështesin protestën.
Profesori deklaroi se do të jetë çdo ditë në krah të studentëve dhe se nuk do të tërhiqet nga mbështetja për ta. “Atë ditë që nuk do më shihni në protestë te studentët, dijeni se kam vdekur dhe më hajdeni te varri”, u shpreh Susaj, duke përcjellë një mesazh të fortë për vendosmërinë e tij për të qëndruar pranë të rinjve. Ai e cilësoi protestën si një betejë për të ardhmen e Shqipërisë dhe për të drejtat e brezit të ri.