Projekti Thumanë-Kashar/ Banorët e Bërxullës në protestë: Popullit po ia vendosin këmbën në fyt

Projekti Thumanë-Kashar/ Banorët e Bërxullës në protestë:…

Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë për projektin e rrugës Thumanë -Kashar, projekt ky i cili prek pronat e tyre.

Ata shprehen se nuk janë kundër zhvillimit të rrugës, por kërkojnë që banorëve që u preket prona të kompensohen me çmimin real të tregut.  Banorët theksojnë se nëse nuk ka reagim, ata do ta çojnë çështjen deri në Strasburg.

“Janë 20 banesa që prishen. Kërkojnë të penetrojnë në këto prona në mënyrë të paligjshme. Këtu është një vjedhje e pastër. Favorizim i një individi, kundrejt disa banorëve. Shteti të bëhet i gjallë, të vijë dhe ulet  në negociata.  Po e bëjnë për të favorizuar oligarkët dhe popullit po ia vendosin këmbën në fyt. Të gjithë këtyre banorëve t’u jepet një vlerë reale. T’i marrësh sot tokën, i ke vrarë shpresën. Do ta çojmë të drejtën tonë deri në Strasburg. Ju bëj thirrje palëve të vijnë dhe të negociojnë për të gjetur të mesmen e artë”, tha njëri prej banorëve.

Të tjerë theksojnë se do bllokojnë rrugën nacionale Rinas-Aeroport, ndërsa i kërkojnë Ministrisë së Infrastriukturës të ndalojë firmën, që mos të cenojë pronat e banorëve.

“Do bllokojmë rrugën nacionale Rinas-Aeroport. I bëjmë thirrje Ministrisë së Infrastrukturës të mos lejojë firmën të cenojë pronën private të banorëve pasi është i kundërligjshëm ky abuzim që po ndodh me banorët”, shtoi një tjetër.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit