Qeveria ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvend një nismë të re ligjore, e cila parashikon vendosjen e imunitetit për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, duke kufizuar masat shtrënguese dhe arrestimin ndaj tij për vendimet apo veprat që lidhen me ushtrimin e funksionit.
Projektligji, i cili ka buruar si një propozim i vetë Bankës së Shqipërisë, ka ndezur menjëherë debate në opinionin publik dhe politik, kryesisht për shkak të pikëpyetjeve që ngre mbi ndikimin e mundshëm në hetimet penale dhe pavarësinë e drejtësisë.
Çfarë parashikon neni 72 i projektligjit?
Në qendër të këtij debati qëndron Neni 72 i projektligjit, i cili përcakton se Guvernatori do të gëzojë mbrojtje nga arrestimi me burg, arresti në shtëpi apo çdo masë tjetër shtrënguese, në rast se akuzohet për vepra penale që lidhen me ushtrimin e detyrës së tij.
Sipas kësaj nisme, procedura do të funksionojë në mënyrë të ngjashme me atë të deputetëve: do të jetë Kuvendi i Shqipërisë ai që do të japë ose jo miratimin përfundimtar për arrestimin, pasi të vlerësojë nëse vepra penale për të cilën akuzohet ka apo jo lidhje direkte me funksionin e tij zyrtar. Për shembull, nëse një akuzë ka të bëjë me vepra si shpërdorimi i detyrës apo korrupsioni i lidhur me funksionin, vendimi kalon detyrimisht përmes filtrit të Kuvendit. Ndërkohë, për vepra të zakonshme jashtë funksionit zyrtar (siç mund të jetë një aksident rrugor), imuniteti nuk do të zbatohet.
Mbrojtje për institucionin apo për individin?
Duke folur mbi këtë nismë, Zv. Guvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Holta Zaçaj, e cila është njëkohësisht ish-anëtare e Gjykatës Kushtetuese, është shprehur se kjo nuk përbën një imunitet klasik personal, por një dispozitë garantuese.
“Arsyeja pse mbrohet guvernatori, nuk mbrohet për shkak të të qenies së tij guvernator, mbrohet për shkak të elementit që të funksionojë i pavarur pa frikën që një ditë një organ i një pushteti tjetër vjen dhe e pengon… Ne mbrojmë institucionin duke mbrojtur guvernatorin,” u shpreh ajo, duke theksuar se qëllimi kryesor është ruajtja e pavarësisë dhe shmangia e presioneve mbi institucionin më të lartë financiar në vend.
Nisma pritet të kalojë në komisionet parlamentare dhe në seancë plenare, ku opozita dhe aktorët institucionalë pritet të diskutojnë gjerësisht mbi balancën midis nevojës për pavarësi të bankës qendrore dhe parimit të llogaridhënies para ligjit.