Prokuroria e Fierit ka sekuestruar 2,610,195 euro, rreth 1.86 milionë lekë, 7,515 dollarë dhe një automjet luksoz “Bentley Flying Spur”, me vlerë të deklaruar blerjeje 250 mijë euro, në pronësi të biznesmenit Kastriot Hasko. Sipas Prokurorisë, Hasko, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, hetohet për falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Sipas hetimeve, dyshohet se biznesmeni ka përdorur vendime të falsifikuara për të regjistruar sipërfaqe të konsiderueshme toke. Pasuritë e sekuestruara dyshohet se kanë prejardhje nga veprat penale që janë objekt i procedimit, ndërsa vendimi për sekuestrimin është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Prokuroria deklaron se hetimet do të vijojnë për të dokumentuar veprimtarinë e dyshuar kriminale dhe burimin e pasurive. Në fokus është edhe sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive që rezultojnë me prejardhje nga veprimtari kriminale, ndërsa për të gjitha akuzat ndaj biznesmenit do të vendoset në përfundim të procesit gjyqësor.