Prokuroria “harron” vdekjen e Arjan Salës/ Nis hetimet vetëm për shkakun e rënies së zjarrit dhe jo për “Dëshmorin e Atdheut”

Prokuroria “harron” vdekjen e Arjan Salës/ Nis…

Zjarri që përfshiu qendrën tregtare në Kashar është regjistruar nga prokuroria e Tiranës si shkatërrim prone nga pakujdesia.

Ndërkohë, në lidhje me vdekjen e 32-vjeçarit i cili humbi jetën brënda ambienteve të magazinës, institucioni i akuzës deri më tani nuk ka regjistruar asnjë vepër penale, duke e lënë në harrëse jo vetëm atë, por edhe aktin e tij heroik i cili dha jetën për të shpëtuar kolegët e tij.

Burime për faxweb bëjnë me dije se hetuesit kanë të dhëna se magazina ka qenë e përshtatur, pasi më herët ka shërbyer si parking për qëndrën tregtare.

Një nga përgjigjet që presin hetuesit nga ekspertët është të përcaktohet nëse kanë qenë funksionale pajisjet anti-zjarr për menaxhimin e flakëve apo jo.

Referuar dosjes hetimore personat e parë që kanë konstatuar zjarrin kanë qenë dy punonjës të qendrës tregtare që po shkarkonin dhe po sistemonin mallin në magazinën që u përfshi nga flakët.

Ata kanë treguar se fillimisht kanë parë që tymi po dilte nga dritarët nën tokësore dhe më pas kanë tentuar të fikin zjarrin me bombël.

Për shkak të sasisë së madhe të tymit dhe flakëve të mëdha nuk e kanë menaxhuar dot situatën dhe janë larguar.

Sipas dëshmisë së tyre në këtë moment ata kanë vënë re një person i cili ka hyrë me shpejtësi në ambientet e brendshme të magazinës me një bombël zjarrfikëse në dorë. Sipas tyre ky person është i ndjeri Arjan Sala, ndërsa shtojnë se ky person nuk ka mundur te dalë më.

Një tjetër dëshmi në dosjen hetimore është ajo e magazinierit N.K.. Përpara hetuesve ky shtetas është shprehur se shkak i zjarrit ka qenë një neon i vjetër në magazinat e qendrës tregtare.

Gjithashtu, ai thotë se ka qenë kolegu që ka pasur në telefon kamerat e sigurisë që e ka vënë në dijeni për zjarrin.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit