Prokuroria mbyll kallëzimin e Antiterrorit ndaj Goxhajt: Frika po vdes

Prokuroria mbyll kallëzimin e Antiterrorit ndaj Goxhajt:…

Avokati Altin Goxhaj deklaron se Prokuroria e Tiranës ka vendosur mosfillimin e procedimit penal ndaj tij, pas kallëzimit të Antiterrorit lidhur me deklaratat e tij publike ndaj kryeministrit Edi Rama. Sipas Goxhajt, vendimi ka rëndësi për kufirin mes gjuhës së fortë politike dhe veprës penale, pasi Prokuroria vlerëson se, megjithëse shprehja “e tërheqim zvarrë si Gadafin” ka natyrë të dhunshme në kuptimin literal, nga materiali nuk rezultojnë plan konkret dhune, armatosje, objektiva për t’u sulmuar apo veprime konkrete kundër rendit kushtetues.

Goxhaj e cilëson vendimin si një precedent të rëndësishëm për protestën dhe lirinë e shprehjes politike, duke argumentuar se e drejta penale nuk duhet të përdoret për të përcaktuar se cilat opinione politike janë të pranueshme. Ai thekson se qëllimi i deklaratave të tij ishte të sfidonte frikën e qytetarëve për të kritikuar dhe protestuar kundër pushtetit, ndërsa nënvizon se vendimi i Prokurorisë nuk përbën leje të përgjithshme për kërcënime, pasi çdo rast vlerësohet sipas përmbajtjes, qëllimit dhe kontekstit.

Deklaratë për shtyp:
AVOKATI GOXHAJ RRËZON RAMËN, HITAJN DHE ANTITERRORIN NË PROKURORI DUKE VENDOSUR PRECEDENTIN E RI QË VRET FRIKËN
(Prokuroria e Tiranës refuzon fillimin e proçedimit penal të Altin Goxhaj sipas kallzimit të Antiterrorit për nenet e rrëzimit me dhunë të rendit kushtetues)
Vendimi i Prokurorisë për mosfillimin e procedimit penal ndaj meje ka një rëndësi që shkon përtej çështjes sime personale. Ai përcakton, në këtë rast konkret, kufirin mes gjuhës së fortë politike dhe veprës penale, mes protestës dhe kriminalizimit të protestës.
Dhe pikërisht këtë kufi kërkova ta provoja dhe provokova në emër të gjithë protestuesve.
Kur deklarova publikisht “Rama përfundon si Gadafi” dhe “në 2 korrik e tërheqim zvarrë si Gadafin”, përdora qëllimisht një formulim ekstrem politik për të provokuar një reagim institucional dhe për ta detyruar sistemin të përballej me pyetjen: deri ku mund të shkojë fjala politike pa u shndërruar artificialisht në çështje penale? Si dhe për të lçnë Ramën pa gjumë
Rama ndërseu më Antiterrorin. Unë e ktheva në parodi publike marrjen në pyetje duke e tallur sistemin në rrënjë e degë! Shërbëtorët e Ramës më çuan në Prokurori ku kërkonin burg.
Dhe përgjigjja e Prokurorisë është tashmë e shkruar e zezë mbi të bardhë.
Ajo vlerëson se edhe pse shprehja “e tërheqim zvarrë si Gadafin” ka “natyrë të dhunshme në kuptimin literal”, nga materiali nuk rezulton plan konkret dhune, armatosje, objektiva për t’u sulmuar apo veprime konkrete kundër rendit kushtetues.
Madje vendimi formulon një parim edhe më të rëndësishëm:
“E drejta penale nuk mund të zëvendësojë debatin politik dhe nuk mund të përdoret si instrument për të përcaktuar se cilat opinione politike janë të pranueshme.”
Kjo është fitorja.
Ky vendim u jep qytetarëve një leje të përgjithshme për çdo formulim apo kërcënim — pavarësisht se çdo rast juridik vlerësohet sipas përmbajtjes, qëllimit dhe kontekstit të vet — por ky rast demonstron se një metaforë e rëndë politike, nuk mund të kriminalizohet automatikisht.
Ky ishte edhe qëllimi politik i provokimit tim: të sfidoja frikën.
Pas më shumë se 115 ditësh protestë, beteja nuk ishte vetëm në shesh. Ishte edhe beteja psikologjike për të çliruar qytetarin nga mendimi: “Po fola fort kundër Ramës, do të më marrë Antiterrori.”
Sot kemi një përgjigje konkrete institucionale ndaj kësaj frike.
Antiterrori më referoi. Prokuroria e shqyrtoi materialin. Procedimi penal nuk filloi.
Prandaj mesazhi që unë nxjerr nga kjo çështje për qytetarët është i qartë:
Mos kini frikë të kritikoni pushtetin.
Mos kini frikë të protestoni.
Mos kini frikë nga gjuha e fortë politike.
Për mua, fitorja më e madhe e protestës mbi njëqindditore është kjo: thyerja e mekanizmit të frikës.
Edi Rama vazhdon të jetë Kryeministër. Policia dhe Antiterrori vazhdojnë të kenë kompetencat që u jep ligji. Por as Kryeministri, as Policia dhe as Antiterrori nuk mund ta zëvendësojnë ligjin dhe nuk mund ta kthejnë automatikisht kundërshtarin politik në autor të një vepre penale.
Sot këtë nuk e them vetëm unë.
E thotë një vendim i Prokurorisë.
Dhe ky është precedenti politik që doja të krijoja:
FRIKA PO VDES.
Sepse pushteti i frikës funksionon vetëm deri në ditën kur qytetari kupton se mund të flasë, të kritikojë dhe të protestojë paqësisht pa u trembur nga pushteti vetëm për shkak të mendimit të tij politik.
Mbi 100 ditë protestë na mësuan të qëndrojmë.
Ky vendim na mëson të mos kemi frikë.
RAMA DHE ANTITERRORI NUK JANË MBI LIGJIN.
PROTESTA NUK ËSHTË KRIM.
FJALA POLITIKE NUK ËSHTË KRIM.
FRIKA PO VDES!
Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit