Promovimi i homoseksualizmit në ekranet shqiptare: PRO apo KUNDËR?!

Promovimi i homoseksualizmit në ekranet shqiptare: PRO…

Në vitet e fundit, një tendencë e rritur e shfaqjes së homoseksualizmit haptazi dhe promovimit të tij ka zënë vend në media, përfshirë emisione televizivet, reality show, lojëra sportive dhe ngjarje të ndryshme kulturore. Kjo tendencë ka shkaktuar debate të forta në shoqëri, duke krijuar polemika midis njerëzve, të cilët kanë qëndrime të ndryshme mbi këtë temë.

Jo më larg se pak ditë më parë, një puthje gay midis dy këngëtarëve italianë në Sanremo dhe disa skena të tjera midis dyshes, shkaktuan një “boom” të vërtetë në shtetin fqinj. Reagimi ishte aq i madh saqë edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, mbajti një qëndrim të ashpër ndaj ndodhisë në fjalë, duke paralajmëruar se do të ndryshonte drejtuesit e lartë e Rai-t.

Një tjetër manifestim i homoseksualizmit në emisionet televizive u shfaq mbrëmjen e djeshme në vendin tonë, ku gjatë një loje në Big Brother VIP Albania, konkurentët u vendosën të putheshin me njëri tjetrin, ku midis tyre kishte edhe puthje homoseksuale.

Në opinionin publik kishte nga ata e mirëpritën këtë lojë dhe puthjet midis konkurrentëve, por sigurisht që nuk munguan edhe zërat kritikë që i konsideruan këto ‘të papërshtatshme’.

Megjithatë, ajo që vihet re është se skena të tilla ku promovohet homoseksualizmi po bëhen gjithnjë e më të shpeshta ne media në mbarë botën. Kjo ka krijuar një ndarje të madhe midis opinionit publik, ku ata me prirje konservatore dhe tradicionale i dënojnë këto akte, duke i konsideruar si të neveritshme dhe si forma ‘imponimi’ dhe një ‘rrezik’ për adoleshentët, duke ndikuar në rritjen dhe përhapjen e perversiteteve të ndryshme, ndërsa ata që kanë prirje liberale e shohin këtë si diçka normale dhe i mëshojnë fort idesë së promovimit të diversitetit dhe theksojnë që ky komunitet duhet pranuar pa paragjykime në shoqëri.

Sporti është një tjetër fushë në të cilën homoseksualiteti është bërë pjesë e debatit publik. Në futboll, për shembull, ka pasur disa raste kur lojtarët kanë dalë publikisht si homoseksualë, duke shkaktuar reagime të ndryshme nga tifozët dhe opinioni publik.

Po ashtu, homoseksualiteti është përfshirë gjerësisht përgjatë viteve të fundit në filma, seriale, libra dhe muzikë, duke patur një impakt të madh në shoqëri.

Një përfshirje e karaktereve homoseksualë në kinematografi ishte filmi i animuar “Strange World”, i shfaqur edhe në kinematë shqiptarë me titullin “Botë e Mrekullueshme”. Ky film shkaktoi një debat të gjerë publik në Shqipëri, ku shumë prindër të shqetësuar kërkuan ndalimin e shfaqjes së filmit në kinema, pasi dy personazhet kryesorë, dy djem të vegjël, ishin homoseksualë. Duke kundërshtuar gjithashtu dhe përkthimin e titullit, ata argumentonin se kjo do të nxiste “ndjenjat homoseksuale” midis fëmijëve, duke qenë se ata priren të jenë kurioz mbi gjërat që nuk dinë.

Në përgjithësi, besimet fetare e konsiderojnë homeseksualizmin si një nga mëkatet më të mëdha dhe në disa vende personat e komunitetit LGBTQ+ dënohen me ligj, ndërsa në vendet liberale ata pranohen si pjesë e diversitetit.

Në vendin tonë duhet theksuar se nuk ka një pranim të gjerë të homoseksualizmit në shoqëri dhe promovime të tilla në emisione të ndryshme në media shkaktojnë polemika dhe reagime të ashpra.

Kjo tendencë në rritje e promovimit të homoseksualizmit shihet në dy këndvështrime, ku njëra palë e konsideron si formë për të ndihmuar në pranimin në shoqëri të personave të komunitetit LGBTQ+, ndërsa të tjerët e shohin si një imponim që bëhet nga mediat për t’i “detyruar” ata që të pranojnë diçka që nuk përputhet dhe bie ndesh me bindjet, besimet dhe ideologjitë e tyre.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit