Promovimi i Shqipërisë turistike ishte propagandë, qeveria pagoi për titujt bombastikë të gazetave

Promovimi i Shqipërisë turistike ishte propagandë, qeveria…

Ndonëse u deklarua se nuk ishte shpenzuar ‘asnjë cent’ për promovimin mediatik të Shqipërisë si destinacion turistik këtë vit, të dhënat tregojnë se Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit paguan për dokumentarë si dhe akomodimin dhe ushqimin e gazetarëve dhe blogerëve të huaj.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit  shpenzuan rreth 61 milionë lekë së bashku për promocionin mediatik të turizmit brenda dhe jashtë vendit gjatë periudhës 2022-2023.

Përveç dokumentarit të shfaqur në BBC, Ministria e Turizmit tha se kishte mbështetur me 8 milionë lekë Fondacionin “Dritan Hoxha” për realizimin e emisionit “Pushime on Top 2023” dhe me 4 milionë lekë qendrën “Dritare” të gazetares Rudina Xhunga për realizimin e një cikli promovues me titullin “Shqipëri, ku tjetër!”.

Ndërsa Agjencia Kombëtare e Turizmit si institucion përgjegjës për promovimin e Shqipërisë, kishte mbuluar shpenzimet për akomodim dhe ushqim të blogerëve, gazetarëve dhe stafeve të produksionit që kanë promovuar Shqipërinë në vende të ndryshme si Francë, Gjermani, Serbi me një vlerë prej rreth 2.3 milionë lekësh në total.

Gjithashtu, Agjencia theksoi se kishte shpenzuar 7.7 milionë lekë për promovimin e aplikacionit “TEA- Tourism of Events Albania” si dhe 10.2 milionë lekë për pjesmarrjen në ITB Berlin – një ndër panairet më të mëdha të turizmit në botë.

Sipas Agjencisë, zbatimi i politikave të marketingut në fushën e turizmit kishin si qëllim “krijimin e imazhit të Shqipërisë si destinacion turistik në tregun ndërkombëtar”.

Sipas Ministrisë së Turizmit, 8.3 milionë vizitorë të huaj e frekuentuan Shqipërinë gjatë 9 muajve të parë të vitit – një sukses që sipas një interviste të ministres Kumbaro për gazetën italiane “La Repubblica”, nuk ishte shpenzuar ‘asnjë cent’ për promovim mediatik.

Promovimi përmes emisioneve televizive, platformave sociale apo fushatave të marketingut janë një praktikë e zakonshme e promovimit turistik të një vendi dhe sipas ekspertëve të turizmit, edhe një nga faktorët e suksesit turistik të këtij viti. Faktorë të tjerë konsiderohen bukuritë natyrore ose kostoja ende e ulët.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit